Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka konfirmuar se deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë të shpallur për kryetar të partisë, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të kësaj partie, që po vazhdon ende të mbahet, transmeton Insajderi.
“Sot është duke u mbajtur Këshilli Drejtues i partisë më të madhe opozitare që ka për qëllim të ndihmojë në përgatitjet e konventës të së shtunës. Këshilli Drejtues po diskuton se cili do të jetë ekipi më i mirë dhe përgatitjet e konventës që është ngjarja më e madhe politike në vend, jo vetëm për PDK”, ka thënë Gjoshi në “Info Magazinë” të KK.
“Opozita e ka rëndësinë e vet në jetën politike, sidomos kur kemi qeveri të dobët. Kandidaturat kanë mundësi t’i dorëzojnë të gjithë të interesuarit. Edhe sot mund ta bëjë dikush këtë. Nuk është se dikush paraqiti kandidaturën deri tash”, shtoi ai.
Ai ka theksuar se konventa e së shtunës ka për qëllim që PDK-në ta bëjë fituese zgjedhjesh.
“Konventa ka synim t’i japë forcë të re PDK-së”. /Insajderi.com