Flet Azem Vllasi për plagosjen e tij

Flet Azem Vllasi për plagosjen e tij

Avokati Azem Vllasi ka thënë se “sulmuesi kishte një armë zjarri me silenciator dhe sipas karakteristikave ishte një atentator i porositur”.

Vllasi u plagos të hënën në mëngjes, nga një person, për të cilin policia është vënë në ndjekje.

Avokati Vllasi është shtrirë në QKUK në Prishtinë, por mjekët thonë se jeta e tij është jashtë rrezikut.

“Para orës 8 në mëngjes dikush i ra ziles. Dola. Një person mbante letra në dorë. Tha se kishte një problem pronësor. I thash se këto unë nuk i punoj dhe që të shkojë në rrugën përballë tek një tjetër avokat. A ka ardhur nga Gjermania apo e ka dërguar dikush, nuk e di. Kam hyrë të shkruaj në një copë letër numrin dhe t’ia japë. Kur kam dalë ai më ka sulmuar tek dera me një revole me silenciator, evidente i përgatitur, më ka sulmuar dhe më ka qëlluar në krah e pastaj iku”, ka thënë Vllasi për Radion Evropa e Lirë.

“Sipas të gjitha karakteristikave ai ishte një atentator i porositur. Pse dhe nga kush, hetimet do të tregojnë. Në bazë të punës sime profesionale, nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë problem me askënd. Familja ime nuk ka problem dhe as kontest me asnjeri. Nuk e di se çka të mendoj dhe nuk dua të hamendësoj. Hetimet do të tregojnë çdo gjë”, tha më tej Azem Vllasi.