Premtimi i Ahmetit ndaj librashitësit rikthen çmimin e vjetër të librave

Premtimi i Ahmetit ndaj librashitësit rikthen çmimin e vjetër të librave

Zbriti çmimin e librave në 1 euro, me qëllimin për ta paguar qiranë e 8 muajve ndaj komunës prej 320 eurove. Por pas takimit me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, Florim Beqiri e ka rikthyer çmimin e zakonshëm të librave, dhe nuk shet më libra nga 1 euro.

Ai ka thënë se deri te vendimi për t’i shitur librat me çmim prej 1 euro ka ardhur pasi komuna i ka kërcënuar me largim nga shtëpizat, ku i shesin librat.

“Neve na janë grumbulluar 8 muaj sepse autoritetet e komunës nuk na kanë ofruar me bë pagesën”, tha fillimisht Beqiri, raporton Gazeta Insajderi.

Ai ka bërë të ditur se ditë më parë ka shkuar në komunë për të diskutuar me ta.

Por sipas tij, autoritetet e komunës dje i kanë informuar se duhet të lëshojnë shtëpizat ku i shesin librat.

“Edhe tash shuma ka qenë shumë e madhe, 320 euro, edhe unë së bashku me disa prej kolegëve të mi kemi shku ju kemi drejtu komunës së Prishtines, kemi kerku që me bisedu me ata që me bë naj  zgjidhje, po aty na nuk kemi gjetë mirëkuptim dhe ditën e djeshme na kanë lajmëruar në telefon prej autoriteteve komunale dhe na kanë treguar se sot  na duhet me e kry atë obligim, perndryshe qysh na shënon në kontratë, na duhet me i lëshu shtëpizat”, tha tutje librashitësi në qendër të Prishtinës.

Ai ka folur edhe për takimin e sotëm me kryetarin Ahmeti.

Tha se nga i pari i Prishtinës kanë marrë premtim për gjetjen e një zgjidhje.

“Ne sot ishim me kolegët e mi, na priti kryetari Shpend Ahmeti. Biseduam me të. Kurgja nuk u arrit dmth ndonjë marreveshje me shkrim. Por ai neve na premtoi që ka me e gjetë një formë që ka me na subvencionu neve”, përfundoi Florim Beqiri.

Ai ka bërë të ditur se librat do të vazhdojë t’i shes me çmimin e zakonshëm, e jo 1 euro.

“Edhe unë ka me i shit librat me çmim qysh i shes çdo dite dhe jo me atë ofertën qysh e kemi pas për me e ba grumbullimin e asaj shume”, ka thënë Beqiri.

Kurse një numër i madh i qytetarëve po vazhdojnë të blejnë libra në shtëpizën e Florim Beqiri. /Insajderi.com