
Aktori i njohur francez, Gerard Depardieu, që së fundmi u bë temë në media për fotografinë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kreun e VV-së, Albin Kurti, në një intervistë ka folur për lidhjen me Shqipërinë, ku ka shtuar se e ka njohur që nga lufta e Kosovës. Ai ka folur në këtë intervistë edhe për Millosheviqin.
Depardieu prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri. Në Gjirokastër po xhirohen pjesë nga filmi “Milosheviçi dhe unë”. Gjatë kësaj kohe ka njohur më mirë Shqipërinë, ndërkohë që u takua edhe me kryeministrin Edi Rama dhe Albin Kurtin, që pritet të formojë qeverinë e re në Kosovë.
Ai në një intervistë për A2, që e njeh Shqipërinë nga koha e luftës në Kosovë.
“E njoh Shqipërinë që nga koha e luftës së Kosovës, kur shihja që shqiptarët kalonin malet plot me dëborë për të ardhur këtu, kur kishte luftë. Ishte koha e monstrës Milosevic, e për këtë jemi këtu për filmin “Unë dhe Milosevic”. Kemi këtu një Milosevic, jo të vërtetë, një aktor me maskë.Por, më pëlqeu shumë Shqipëria. Mua më pëlqen Ballkani, Shqipëria, Serbia. E di që Serbia kishte Milošević, por mua më pëlqen vendi, Ballkani, jo politika”, tha ai.
Depardieu, që në Shqipëri ndodhet për gjirimet e këtij filmi, ka folur edhe për personazhin që e luan dhe se si i kupton ai marrëdhëniet mes Kosovës-Serbisë e Shqipërisë.
“Ai është një avokat, por duhet të pyesni Arbenin se çfarë do të bëjë me këtë personazh. Sepse ai e ka jetuar luftën e Kosovës, dhe periudhën pas lufte. Ajo që nuk kuptoj unë në trekëndëshin Kosovë-Serbi-Shqipëri, edhe tani pas lufte, është se nuk mund ta lënë pas atë që ndodhi dhe të bashkohen, ndoshta edhe në një union ballkanik siç thashë më herët. Është njëlloj si historia e Nazizmit, e gjermanëve apo idetë diktatoriale sovjetike. Këto janë biseda diktatoriale, të dala nga moda. Janë njëlloj nazizmi, diktatura, apo njëlloj si konfliktet e besimeve fetare. Prandaj është mirë që të gjejmë filozofinë në besimin që kemi”, tha Depardieu.
Depardieu ka folur edhe për takimin me Edi Ramën e Albin Kurtin. Tha se me ta kanë diskutuar për luftën në Kosovë e jo për politikën.
“Unë kam takuar shumë personalitete politike, por nuk flas me ta për politikë. Erdha këtu, ata më ftuan për një darkë dhe unë shkova. Ata më folën për vendet e tyre, për historinë dhe për luftën që kishin kaluar. Ishin shumë të tronditur nga lufta, dhe në fakt të gjithë tronditen nga lufta. Por unë mendoj se pas lufte duhet të bëheni të fortë për të ndërtuar një union ballkanik. Shpresoj të jetë kështu”, tha ai.
Aktori francez i cili para disa viteve është përzënë nga Franca, ka gjetur strehim në Rusinë e Putinit. Ai në këtë intervistë ka folur edhe për pasaportën që ka marrë nga Rusia duke u bërë shtetas i këtij vendi.
“Hollande më përzuri nga Franca, ndërsa Putin më mirëpriti. Me të bëra një bisedë interesante për politikën dhe sot ndihem i lirë të flas për gjithçka që dua. Putin është mjaft i zgjuar dhe unë ndihem i lire”.
“Unë jetoj tani në Rusi, dhe ndihem sikur kam pasaportën e gjithë botës. Dhe unë e konsideroj veten si qytetar të të gjithë botës. Unë nuk i gjykoj politikat. Unë mund të them se nuk jam dakord me Erdogan, pasi mendoj se ai po bëhet një Kalif tjetër, kjo është shumë e vështirë, unë nuk arrij ta kuptoj, por s’kam çfarë t’i bëj politikës”, tha ai.
“Por Turqia është diçka tjetër. E kam vizituar atë dhe kam gjetur një vend shumë të bukur. E kam studiuar historinë e Perandorisë Osmane, njëlloj si atë Romake. Por tani jemi në vitin 2020 dhe është koha që ne të përpiqemi ta kuptojmë njëri-tjetrin më mirë. Dhe kjo më pëlqeu te Edi, ashtu sikurse më pëlqen Aleksandri i Serbisë”, tha ai.