Flet i riu që u godit nga polici: Aty shihet fundi i rrahjes dy orëshe

Flet i riu që u godit nga polici: Aty shihet fundi i rrahjes dy orëshe

Leotrim Rama, i riu i cili u rrah nga një polic dhe videoja e incidentit u bë virale, ka rrëfyer të gjithë ngjarjen përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, njofton Insajderi.

Ai thotë se në video shihet vetëm fundi i një keqtrajtimi që kishte nisur dy orë më parë në stacionin policor, ku ishte shoqëruar, siç thotë ai, për të dhënë deklaratë për një shkelje që kishte bërë asokohe (në vitin 2018).

“Pra, siç shihet në këtë video 10-15 sekondëshe keqtrajtimi, maltretimi, dhuna psikike dhe fizike këtu ka qene fundi i rrahjes sime 2 orëshe nga të gjithë policët e ndërrimit të asaj nate… ku në fund pas gjithë asaj sjellje kolegët e Harisit mu drejtuan ‘Qe një cigare prej neve’. Unë gjithashtu kërkova ta thërras edhe ndihmën e shpejt, pasi që isha i rrahur aq keq e i dhunuar e ceku fizikisht dhe psiqikisht… ata mu drejtuan ‘hajt se ski nevojë se mirë je’”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai tutje shton se kanë kaluar pothuajse tri vite pas kësaj ngjarje, dhe se gjendja e tij psiqike është rënduar shumë.

“Në bazë të këshillave të psikologut kam bërë çdo gjë që ta tejkaloj këtë traumë, por ajo sa vjen dhe rëndohet çdo ditë”.

Leotrim Rama shpreson se organet e drejtësisë do të merren me këtë rast./Insajderi.com