Flet ish-komandanti i UÇK-së pasi u ndalua nën dyshimin për sulm ndaj zyrtarit policor

Flet ish-komandanti i UÇK-së pasi u ndalua nën dyshimin për sulm ndaj zyrtarit policor

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjakovë, Avdyl Mushkolaj, ka mohuar se ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor të premten mbrëma, siç është raportuar nga Policia e Kosovës.

Në një prononcim për Shqip.com, Mushkolaj ka sqaruar se nga policia është ndaluar për shkak të mungesës së maskës, derisa ishte në veturë.

Ai ka mohuar të ketë sulmuar fizikisht ndonjë nga zyrtarët, veçse ka pohuar se ka dalë jashtë veturës për shkak të një keqkuptimi, siç ka thënë, pasi vetura që drejtonte kishte xhama të zinj.

“Më kanë ndaluar për maskë sepse nuk e kisha dhe më kanë shoqëruar në polici për shkak të veturës, e cila nuk ishte e imja, por e një mikut. Vetura kishte xhama të zinj e policët tentuan të ia heqin, unë kundërshtova, ndaj dhe dola nga vetura, por në asnjë moment s’kam tentuar të sulmoj fizikisht ndonjë nga ta. Ju kam thënë xhamat mund të ia hiqni, por jo pa qenë pronari i veturës këtu, sepse s’është e imja”, ka thënë Mushkolaj.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjakovë, Avdyl Mushkolaj

Por, një version tjetër për këtë rast ka Policia e Kosovës.

Në raportin 24 orësh të PK-së thuhet se “gjatë shqiptimit të një tikete i dyshuari ka dalë nga vetura duke tentuar ta godasë zyrtarin policor”.

“Njësiti policor gjatë pikës së kontrollit, sipas planit operativ ka ndaluar veturën të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar, i  njëjti nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policor për vendosje te maskës gjatë kontaktit me ta. Gjatë shqiptimit të një tikete i dyshuari ka dalë nga vetura duke tentuar ta godasë zyrtarin policor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurori pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia./Insajderi.com