Flet njëra nga të mbijetuarit e aksidentit: Trajtimi në Kroaci ishte shumë i mirë

Flet njëra nga të mbijetuarit e aksidentit: Trajtimi në Kroaci ishte shumë i mirë

Të martën mbrëma kanë mbërritur në Kosovë 27 mërgimtarët, të cilët i mbijetuan aksidentit tragjik i cili ndodhi të dielën e 25 korrikut në Slavonski Brod të Kroacisë, njofton Insajderi.

Njëra nga të mbijetuarit, pas arritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, tha se trajtimi në Kroaci ka qenë shumë i mirë.

“Trajtimi ka qenë shumë i mirë”, tha shkurt ajo para mediave.

Përveç familjarëve të shumtë, edhe kryekuvendari Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë pritur të lënduarit.

Prijësit e institucioneve kanë shprehur ngushëllime për jetët e humbura në aksidentin tragjik dhe të lënduarve u kanë uruar shërim të shpejtë, duke i siguruar se do ta kenë përkujdesin institucional.

Ndryshe, një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa mbi 40 janë lënduar.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Shoferit që po voziste në momentin tragjik, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Insajderi.com