Flet njëri nga të plagosurit në Velipojë: Shkuam për t’u sqaruar

Flet njëri nga të plagosurit në Velipojë: Shkuam për t’u sqaruar

Është zbardhur dëshmia e Hasan Verracaku (Ferracakut), i cili mbeti i plagosur ditën e djeshme në Velipojë, ku pas një përplasje me armë mbetën të vrarë katër persona mes tyre edhe vëllai i tij, Kujtim Verracaku.

Sipas dëshmisë të siguruar nga Abcneës.al, Hasan Verracaku i cilit është arrestuar pas ngjarjes, ata kishin shkuar në hotelin e familjes Gocaj për t’u sqaruar për shezlongët. Sipas tij, situata kishte dalë jashtë kontrollit dhe janë nxjerrë armët, duke akuzuar vëllezërit Gocaj, të dy të vrarë, se kishin qëlluar të parët vëllain e tij, Kujtimin dhe se ky i fundit kishte reaguar për vetëmbrojtje.

Mes të tjerash, Hasan Verracaku ka thënë se vetë ai nuk ka qëlluar me armë, ndërsa ka shtuar se dikur me familjen Gocaj kishin pasur marrëdhënie të mira.

“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezllonet në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezllonet një kohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në baze të aplikimeve.

Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezllonet, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”, mësohet të ketë thënë 54-vjeçari, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës.

Velipoja u trondit pak minuta pas mesnatës se djeshme nga një shkëmbim me armë zjarri që u mori jetën katër personave. Viktima mbetën biznesmeni Kujtim Verracaku (Ferrcaku) 59 vjeç, pronar i hotel “Fantazia”, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç që kishin hotelin “Gocaj” dhe jetimi fatkeq Musaen Zenelit 20 vjeç, që e kapi një plumb në zemër dhe i mori jetën në vend. Nga përplasja me armë u plagosën po ashtu edhe Hasan Ferracaku, vëllai i biznesmenit që u vra dhe nipi i tij Elmedin Tyli. Dy të plagosurit u arrestuan për ngjarjen, ndërsa në kërkim janë shpallur tre vëllezër; Abedin, Shyqyri dhe Besar Verracaku, banues në fshatin Pulaj, të dyshuar si bashkautorë në krim.

Shkak i sherrit që solli masakrën ishte konflikti mes Ferracakut dhe Gocajt për hapësirën e rërës përpara hoteleve për vendosjen e shezlongeve./Insajderi.com