Flet pronari i objektit në Prishtinë ku po zhvillohet aksioni policor

Flet pronari i objektit në Prishtinë ku po zhvillohet aksioni policor

Abaz Sylejmani, pronar i objektit në lagjen “Pejton” të Prishtinës, në të cilin Policia e Kosovës po kryen një operacion që nga ora 10:00 e mëngjesit, deklaroi para mediave se objektin në fjalë e ka lëshuar me qera, përcjell Insajderi.

Ai bëri të ditur se objekti është duke u shfrytëzuar nga pronari i një “Call Center” në gjuhën gjermane, i cili është hapur tash e pesë muaj.

Ai tha se nuk e di nëse biznesi është legal, por sipas tij do të duhej të kishte leje.

Ndërsa, për aksionin policor, Sylejmani tha se nuk janë informuar paraprakisht.

“Nuk është dashur ta thyejnë derën, por të na lajmërojnë dhe ne do t’ua kishim hapur”, pohoi ai para mediave.

Operacioni po zhvillohet edhe në Ferizaj.

“Sot me 31 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente është duke realizuar një operacion policor, i cili ndërlidhet me veprimtari të mashtrimit. Operacioni policor është duke u realizuar në disa lokacione të rajonit të Prishtinës dhe Ferizajt, andaj pas përfundimit të operacionit do të jepen informacione shtesë”, kanë thënë policia në një përgjigje për Insajderi-n./Insajderi.com