Flet sekretari i shkarkuar në MI: Vendimi është i kundërligjshëm

Flet sekretari i shkarkuar në MI: Vendimi është i kundërligjshëm

Izedin Bytyqi e ka quajtur të kundërligjshëm vendimin e ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, për lirimin e tij nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm, njofton Insajderi.

Bytyqi ka thënë se pasi e ka pranuar vendimin, ka shkuar në stacionin policor duke ju kërkuar që tashmë i emëruari në këtë pozitë të ia lirojë zyrën.

“Është vendim i kundërligjshëm, e kam njoftuar kryeministrin dhe Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë. Aty u instalua një sekretar kishe, që s’ka të drejtë me thënë sekretar hiq. Ky nuk është drejtor departamenti, pra Zymer Avdullahu”, ka thënë ai para medieve.

“Dje pasi e kam marr vendimin kam shkuar në stacion të Policisë, sepse ky person ka thënë se nuk e njeh vendimin dhe unë i kam thënë Policisë që me u marr ju me këtë dhe me ma lirua zyrën, por më kanë thënë se me këtë duhet të merret prokurori”, ka thënë ndër të tjera Bytyqi.

Ai tutje ka shtuar se është ballafaquar me presione të ndryshme të grupit të interesit “që e kanë shkatërruar Ministrinë e Infrastrukturës”.

Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës përmes një komunikate ka njoftuar se ministri Arban Abrashi, ka pezulluar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm, Izedin Bytyqi dhe ndaj të njëjtit është iniciuar procedura e shqyrtimit të shkeljes së rëndë disiplinore./Insajderi.com