FMN kundër tërheqjes së 10 përqindëshit nga Trusti Pensional

FMN kundër tërheqjes së 10 përqindëshit nga Trusti Pensional

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ndasitë politike në Kuvend do t’a komplikojnë zbatimin e masave zbutëse dhe të rimëkëmbjes, duke dalë kundër tërheqjes së mjeteve prej 10 përqind të Trustit Pensional, njofton Insajderi.

“Ndarjet politike mund ta komplikojë zbatimin e masave zbutëse dhe të rimëkëmbjes. Nga ana pozitive, progresi me vaksina dhe trajtime do të mund ta bëjë të mundur kthimin e lëvizshmërisë në nivele normale më shpejtë”, thuhet në raportin e FMN-së.

FMN-ja parasheh një rënie ekonomike për sivjet 7.5 përqind.

“Në frontin ekonomik, BPV reale parashikohet të pësojë rënie prej 7.5 për qind më 2020 dhe të kthehet me 6 për qind më 2021.1 Rënia e rritjes në shtetet ku kemi prani të madhe të diasporës së Kosovës (-6 për qind në 2020), si dhe kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit do t’i kushtojnë Kosovës 6 pikë përqindjeje të BPV-së në të hyrat nga diaspora për vitin 2020. Kjo do të rëndojë efektin negativ në rritje nga rëniet e detyrueshme dhe vullnetare të lëvizjes brenda vendit dhe pasigurisë së shtuar”, thuhet në raport.

Ndërsa, për mjetet e kursimeve pensionale që parashihet tërheqja e 10 përqind me Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, FMN vlerëson se zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit.

“Përpjekja e jashtëzakonshme fiskale për vitet 2020 – 2021 duhet të ankorohet me veprime të besueshme konsolidimi, sapo të jetë stabilizuar rimëkëmbja ekonomike. Për t’u përgatitur për këtë, nevojitet një strategji e qartë komunikimi që nxjerr në pah natyrën e përkohshme të këtyre pagesave shtesë dhe transfereve aktuale. Për më tepër, duhet zbatuar reformat për rifokusimin e shpenzimeve sociale për të mbrojtur personat më të cenueshëm. Duhet të shmanget krijimi i përfitimeve pensionale shtesë, mbi skemat ekzistuese, pa një analizë të qëndrueshmërisë aktuariale të përfitimeve ekzistuese. Gjithashtu, tërheqja e propozuar e 10 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) minon Shtyllën 2, zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit, që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit”, thuhet në raportin përmbyllje të vizitës së misionit të FMN-së, i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, që zhvilloi një vizitë virtuale nga 23 shtator deri më 7 tetor në Kosovë. /Insajderi.com