Shqiprim Arifi për Insajderi.com

Fondi – “i vonuar 19 vjet” – për Luginën

I mirë dhe i domosdoshëm, por shumë i vonuar. Kështu e ka vlerësuar, kryetari i Preshevës në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, krijimin e Fondit të përbashkët për Luginën nga Kosova e Shqipëria. Tash, vonesa nuk duhet të përsëritet e të vonohet implementimi. Projektet nga ky fond duhet të fillojnë shpejt. Qysh në muajin dhe ditën e parë të vitit të ardhshëm.

Fondi – “i vonuar 19 vjet” – për Luginën

“Vlerësimi i krijimit të fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës”, si njëra nga marrëveshjet më të rëndësishme të nënshkruara në mbledhjen e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, më 2 tetor në Tiranë, është dashur të ndodhë moti, që nga lufta e UÇPMB-së në vitin 2001.

Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, pas arritjes së kësaj marrëveshje që pritet të gjejë implementim brenda disa muajve.

Derisa ka komentuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje, për të cilën kishte ripërsëritur kërkesën e tij të kahmotshme për këtë fond me vlerë prej pesë milionë eurosh si shtyllë për zhvillimin e Luginës, Arifi ka shprehur pakënaqësi për vonesën e marrjes së masave nga Shqipëria dhe Kosova për këtë zonë.

Ai ka tërhequr një paralele me minoritetin serb në Kosovë dhe ndihmën e vazhdueshëm që sipas tij, marrin ata nga shteti serb, mbështetje që e ka shndërruar në një faktor politik të konsiderueshëm në Republikën e Kosovës, thotë Arifi.

“Nënshkrimi i marrëveshjes ka qenë një domosdoshmëri pasi që ka qenë e vonuar dhe kjo marrëveshje është dashur të bëhet shumë më herët dhe në këtë kontekst kemi humbur kohë, por çfarë nuk kemi humbur është shpresën”.

“Kur flas për vonesë, e kam fjalën në drejtim të asaj që jo vetëm në kohën ku unë bëj pjesë në politikë, qysh nga viti 2015, por kjo është vonuar qysh nga lufta e UÇPMB-së në 2001, qysh atëherë është dashur të marrin masa Shqipëria dhe Kosova për Luginën e Preshevës. Njashtu siç i ka marr masat Serbia për minoritetin e tyre serb në Kosovë dhe që sot është një faktor politik i konsiderueshëm në Republikën e Kosovës, pikërisht ky minoritet i fuqizuar me dekada tash nga qeveria serbe”, ka thënë ai.

Sipas Arifit, kjo vonesë shkon në faturë të shtetit shqiptar dhe atij kosovar, por prapë shprehet “i gëzuar që më në fund është marrë ky vendim dhe po bëhet fondi”, që është përkrahur nga kryeministri Rama në takimin që kanë zhvilluar para dy vjetëve dhe “sot po rezulton dhe po realizohet”.

Kreu i komunës së Preshevës tutje u shpreh se pret që implementimi i këtij fondi të fillojë më së voni nga një janari i vitit të ardhshëm, pasi që tashmë bën pjesë edhe në planifikimin e buxhetit të dy shteteve shqiptare.

“Tash është momenti që ta planifikojmë dhe pastaj implementimi bëhet qysh nga një janari i vitit të ardhshëm”, ka thënë më tej ai.

Megjithëse nuk ishin të ftuar të marrin pjesë në mbledhjen e përbashkët, mbase edhe për arsye protokollare, Arifi beson se ka qenë e mundur që në një pjesë të takimit, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, të ishin prezent dhe “të jepnin një mesazh që unifikimi është i domosdoshëm dhe mund të realizohet edhe pse ka shumë skeptik dhe ka shumë kritika e dëshpërime në politikbërjen shqiptare në përgjithësi, por prapë shpresa është e madhe që unifikimi, ashtu siç ka ndodhur në zgjedhjet e fundit në Luginë, mund të ndodhë edhe në vendet mbarë-shqiptare”.

Fondi Kombëtar i Solidaritetit është nënshkruar nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe homologu i saj nga Shqipëria, Gent Cakaj.

Përveç kësaj marrëveshje, nga ministra përkatës të të dyja qeverive, në tryezën e rrumbullakët me moton “Bashkë pa kufi”, u nënshkruan gjithsej 14 marrëveshje dhe memorandume. /Insajderi.com