Formula „K&K“

Shkruan: Dushan Janjiq

Formula „K&K“

Në kolumnen e 25 marsit 2020, Blerim Shala ka shkruar: “Si duket gjithçka u komplotua kundër ripërtrirjes së dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili e ka vetëm një qëllim marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë”. Dhe vëtetë, prej atëherë shumëçka u ndryshua. Por vetëm diçka që është e re është reagimi ndaj koronavirusit të ri (Covid-19).

Për herë të parë gjithë bota u ballafaqua me frikën nga e panjohura. Shumica e asaj që kemi njohur ka marrë forma të reja por problemi nuk është braktisur, as nuk është zhdukur, e as nuk është zgjidhur. Nën hijen e zezë të panjohurës janë rritur pasiguria dhe frikat e imponuara dhe kufizimet e lirive. Gjithë kjo patjetër na përkujton se “kohëra të këqija” jetojnë me ne.

Lajmet për koronavirusin kanë pasur përparësi të pakontestueshme në Kosovë, Serbi, Evropë dhe në botë. Shala ka pasur të drejtë kur ka vlerësuar se “në Prishtinë dhe Beograd nuk kanë variantë tjetër, por të përpiqen që diçysh të mbajnë njëfarë kontrolle mbi këtë “stuhi” të paparë e cila rrënon gjithçka para vetes”.

Koronavirusi, si bora ka mundësuar që çdo bishë t’i lë gjurmët e veta. Kështu edhe të gjitha virtytet dhe mangësitë e politikave, politkanëve dhe institucioneve u bën të dukshëm.

Në Serbi, prej vitit 2016 ekziston Ligji për Mbrojtjen e Banorëve nga Sëmundjet Infektive, i cili është bërë sipas të gjitha standardeve të BE. Ligji ka paraparë të ekzistojnë planet dhe dokumentet operative, të ndërmerren aktivitetet e nevojshme, të sigurohen pajisjet përkatëse në institucione për siguri së njerëzve, duke përfshirë edhe aftësime shëndetësore të njerëzve të përfshirë në ndërmarrje të masave mbrojtëse në rast të zhvillimit të sëmundjeve ngjitëse.

Kur, me vonesë domethanëse, u ballafaquan me krizën, autoritetet në Serbi u mbështetën në Kushtetutë dhe vendosën gjendje të jashtëzakonshme të përcjellë me orë policore dhe kufizim të shumë lirive. Për herë të parë në histori të Serbisë, e në emër të “dashurisë së madhe dhe kujdesit për jetët e tyre” u realizua segregacioni i plotë sipas kriterit të moshës.

Koha do të tregojë se a janë vendosur këto masa sepse nuk ka pasur përgatitje për zbatimin konkret të ligjit. Në realitet, me masa restriktive dhe para se gjithash duke u mbështetur në distancimin social, e kjo do të thotë në llogari të qytetarëve dhe ekonomisë, pushteti ka blerë kohë duke u përpjekur që sa do që është e mundur ta aftësojë veten dhe sistemin shëndetësor për reagim.

Gjendja e jashtëzakonshme është vendosur për t’u “rregulluar” disa punë politike (shtyerja e zgjedhjeve, forcimi i ndikimit dhe monopolit ndaj publikut në “fushatën e çmendur për mjete të reja”, etj.). Mbi masat sociale, ekonomike dhe të tjera, më vonë do të debatohet. Shansi i parë për matjen e vlerësimit politik të efekteve do të jetë në zgjedhje, me siguri më 21 qershor 2020. Shansi i dytë apo provimi përfundimtar do të ndodhë një vit më vonë, kur ndihen të gjitha pasojat e (mos) reagimit ndaj koronavirusit në pranverë të vitit 2021.

Supozoj se edhe sistemi shëndetësor i Kosovës nuk ishte në nivelin e nevojave. Në gjithë këtë lajmi i mirë është se COVID-19 e ka detyruar Beogradin dhe Prishtinën të bashkëpunojnë në shkëmbim të informatave dhe në bashkëpunim në ndërmarrje të masave shëndetësore. Kështu është lehtësuar edhe bashkëpunimi i komunave nën pushtetin e Listës Serbe me qeverinë, pjesë e të cilës janë.

Shpresoj se më nuk do të mund të shtyhet dialogu sa i përket shëndetësisë. Siç thuhet: “Më mirë dikur se kurrë”.

Nuk ka dyshim  se edhe në Kosovë janë “rregulluar” punët e ndryshme politike. Në këtë posaçërisht ishte kreativ Albin Kurti. Ai e ka vendosur formulën e llojit K(urti) & K(orona) të veprimit politik. Në këtë formulë, qeveria e Kurtit u rigjallë nën ndikimin e koronavirusit, e sidomos prej 25 marsit, kur Kuvendi i Kosovës votoi mosbesimin, gjegjësisht prej kur është “qeveria në dorëheqje”.

Në Kosovë, disi në të njëjtën kohë kanë arritur koronavirusi dhe presioni i diplomacisë amerikane ndaj qeverisë që t’i heqë taksat dhe të mundësohet dialogu e me qëllim që, sa më parë, të nxirret njëfarë prodhimit i cili do të paraqitej si sukses i diplomacisë dhe administratës amerikane.

Mirëpo, Kurti kishte ide tjera siç është: “Nuk është me rëndësi koha, por kualiteti i marrëveshjes”. Ai ka shkuar aq larg që me ditë të tëra ka refuzuar thirrjet nga Shtëpia e Bardhë pasi që nga Departamenti i Shtetit dhe anëtarëve të Kongresit arritën paralajmërimet që Kosova po e rrezikon përkrahjen e SHBA, të cilët për të treguar vendosmërinë e tyre e ngrinë ndihmën në shumën prej 50 milionë dollarëve. Njëkohësisht Kurti udhëton në Berlin. Nuk është kontestuese se kontribut të rëndësishëm për rënie të kryeministrit Kurti ka dhënë presioni i emisarit të posaçëm të SHBA për negociata në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Në përpjekje që përgjegjësia për dështim të mos bie në të, Kurti provokoi prishje të koalicionit duke e shkarkuar ministrin e brendshëm, njeriun e dytë të LDK-së. LDK e vetëdijshme për rrezikun ndaj ndikimit të saj në publik, vendosi ta nisë mocionin për mosbesim ndaj Kurtit.

Si do të përfundojë “komploti më i ri i Kosovës”: a do të formohet shumica e re qeverisëse me LDK, AAK, AKR, Nisma dhe me partitë të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës (gjë që më duket e besueshme) apo, pas tërheqjes së koronavirusit, Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja, do të dihet pas publikimit të këtij artikulli.

Kurti e kritikon Thaçin se në marrëveshje me Vuçiqin, e me asisitimin e Uashingtonit ka bërë marrëveshje për shkëmbimin e territoreve dhe demakacionit etnik të kufijve. Me këtë veprim Kurit ka riaktivizuar virusin i cili e kontrollon shëndetin e qasjes së përbashkët BE-SHBA përkitazi me dialogun, por edhe politikën ndaj Ballkanit Perëndimor.

Natyrisht, këto testime të antitrupave nuk janë të parëndësishme. Kurti ka tentuar ta shmangë pagesën e çmimit të lartë për politikën e tij, ashtu që sipas “formulës K&K” e në formën e vendimit të qeverisë të promovojë reciprocitetin dhe zbatoi suspendimin e taksave, çka ka promovuar PDK në qeverinë e kaluar.

Nën hijen e koronavirusit kanë vazhduar përgatitjet për “ringjalljen e dialogut”. BE e emëroi si përfaqësues për dialog në mes Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçakun.

Kurti me një letër i është drejtuar Lajçakut duke porositur se Prishtina është e përkushtuar për dialog me Beogradin me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA dhe se do ta formojë ekipin negociator të Kosovës i cili do të jetë “gjithëpërfshirës dhe me balancim gjinor”. Këtë ekip do ta udhëheqë vet Kurti dhe anëtarë do të jenë presidenti i Kosovës, kryetarja e Kuvendit dhe të tjerët.

Përgjigja interesante e Lajçakut – “Inkurajon shumë që në letrën e juaj lexova se Kosova është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve në procesin e dialogut dhe se është e gatshme të punojë në marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe juridikisht të obligueshme”.

Mbetet e paqartë se a ka rënën Lajçak nën ndikimin e “formulës K&K” apo nuk është i njoftuar se Kurti është “kryeministër në dorëheqje”. Duke marrë parasysh eksperiencën dhe njohjen e “lojërave ballkanike” të cilën e ka Lajçak, më shumë besoj se Lajçak llogaritë në Kurtin si lider të opozitës. Kjo nuk është e pakuptimtë sepse nuk është kontestuese se në të ardhmen veprimi politik i Kurtit do të jetë me rëndësi për normalizimin e Kosovës dhe marrëdhëniet e saja me Serbinë./Insajderi.com.