Formularët e KQZ-së zbulojnë kredinë qindra mijëra euro të Kadri Veselit

Bashkëshortja e tij, Violeta Veseli, ka të hyra vjetore prej mbi 20 mijë eurove nga një biznes privat - Kobit PC - dhe paga e saj si mësimdhënëse në Komunën e Prishtinës.

Formularët e KQZ-së zbulojnë kredinë qindra mijëra euro të Kadri Veselit

Kadri Veseli ka marrë 173 mijë euro kredi nga një bankë komerciale në vend, tregon një formular i mbushur prej tij – i paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në muajin gusht.

Veseli, i cili në deklarimin e pasurisë në muajin në Agjencinë Kundër Korrupsion disa muaj më parë gjatë këtij viti, kishte deklaruar se ka një kredi prej 110 mijë eurove në një bankë komerciale, në KQZ ka deklaruar se shuma e kredisë që ka marrë në një bankë komerciale që operon në Kosovë është dhjetëra mijëra euro më e madhe.

Sipas këtij formulari, Veseli ka deklaruar se ka marrë 173,076.00 euro kredi në bankë.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion për vitin 2019, Veseli kishte sqaruar se ka blerë edhe një lokal afarist në vlerë prej 110 mijë euro. Në këtë formular të AKK-së, ish-kreu i Parlamentit kishte bërë të ditur se lokali është blerë nga kursimet dhe shitja e një banese, si dhe nga një kredi që ka marrë.

Ndërkaq në formularin e KQZ-së, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës ka deklaruar se të hyrat vjetore të tij nga paga si kryeparlamentar i Kosovës arrijnë deri në 33 mijë euro.

Po ashtu, formulari i pasurisë së Veselit në KQZ shfaq se bashkëshortja e tij, Violeta Veseli, ka të hyra vjetore prej mbi 20 mijë eurove nga një biznes privat – Kobit PC – dhe paga e saj si mësimdhënëse në Komunën e Prishtinës. /Insajderi.com