Fotografia me Sveçlën, reagon Gjuriq: Ai është bashkëpunëtor radikal i Albin Kurtit

Fotografia me Sveçlën, reagon Gjuriq: Ai është bashkëpunëtor radikal i Albin Kurtit

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë sot se Xhelal Sveçla, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje me të cilin u takuan në një tryezë të rrumbullakët në Berlin të shtunën, është njëri prej bashkëpunëtorëve më radikal të Albin Kurtit.

Gjuriq ka thënë se Sveçla, i cili ishte një prej pjesëmarrësve të tryezës së rrumbullakët, “është një prej politikanëve më ekstrem shqiptarë dhe një prej bashkëpunëtorëve më radikal të Albin Kurtit”, dhe se përfaqësuesit e disa partive tjera politike nga Kosova nuk kanë ardhur në këto bisedime, por se “këto fotografi i kanë përdorur për përleshje të brendshme me Lëvizjen Vetëvendosje”.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë sot se çdo përfaqësues i saj “paraqet shqetësim për kundërshtarët”, teksa ka komentuar edhe një herë një fotografi ku në tavolinën e përbashkët shihet anëtari i LVV-së, Xhelal Sveçla dhe zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, raporton Insajderi.

Përmes një shënimi në Facebook, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se ky subjekt politik do të vazhdojë t’i shtyjë përpara parimet dhe programin e saj në çdo konferencë apo takim publik.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë t’i shtyjë përpara parimet e programin e saj kudo ku gjindet, në çdo takim publik, në çdo rrethanë e tryezë. Çdo përfaqësues i yni në tryeza paraqet shqetësim për kundërshtarët”, ka shkruar Manxhuka.