Fotografia që më kujtoi përjetimet e para 20 vjetëve

Fotografia që më kujtoi përjetimet e para 20 vjetëve

Për mua si fëmijë që e kam përjetu luftën, 24 marsi nuk është thjesht datë e zakonshme, e fillimit të pranverës. Tash e 20 vjet, e kujtoj si fillimin e luftës, largimin prej shtëpisë dhe jetën si refugjate nëpër vende, shpija të huaja e male, për gati 3 muaj.

Mbrëmë para gjumit mbesa Onea, i shfletoi albumet e fotografive. Në mesin e shumë fotografive që i kemi rregullu pas përfundimit të luftës janë tepër pak foto të para luftës. Njana prej tyne që na ka shpëtu, është kjo e imja me Besin.

Fotoja me vëllain ma kujtoi momentin ma të frikshëm që kisha përjetu si fëmijë gjatë luftës – arrestimin e babit.

Mu mbushën sytë me lotë. Edhe 20 vjet pas, rrëqethem kur e kujtoj qysh serbët e ndanë babi prej neve, e detyrun me lan thesin me bukë në tokë e me u futë në oborrin ku ishin të arrestuarit e tjerë – krejt burra, që i kishin nda prej fmive, grave e pleqve.

Për krejt këto vjet nuk kam përjetu frikë më të madhe. Për disa momente e kisha pas përshtypjen se krejt bota u rrënu, se kam mbet vec vet edhe ska kush me më mbrojte. Vazhdova me ecë rrugës tuj kajt e tuj u dridhë prej frikës, deri kur Besi ma shtrëngoj dorën e ja nisi me më ngushëllu. Vëllu gjithmonë e mbanë fort dorën e motrës e të jep forcë në momentet e randa . Me kujtohen mirë fjalët e tij “oj Done mos kaj, se kurgja si bajnë babit, qitash kanë me lëshu e kemi me u kthy në shpi”.

Derisa unë i fshiva lot, Nana na thirri afër vetës neve dyve, se Endritën, që i kishte vec 4 vjet e kishte përdore – e shkum afër derës ku e futën babin. Gjithkah ishte e rrethume me policë.
Nuk e harroj kurr sesi polici i shëndoshë me cigare në gojë na shtyu fort e na përplasi për dyerve të oborrit ku e kishin fut babin. Shqip na foli e na tha “Ecni, skeni cka me lyp këtu”. Edhe sot, 20 vjet pas e urrej këtë polic. Nuk arrij me ja kujtu fytyrën por sjelljen e tij arrogante naj nanës dhe neve tre fëmijëve nuk e harroj kurr.

Një tjetër polic na u afru e na tha, “mos u shqetësoni, shpejt e lirojnë”.

Pritja 20 minutëshe aty, për mua kishte qenë pritje që si vinte kurrë fundi. Paramendojeni skenën një grua e friksume deri në palcë se çka po ndodhë me burrin e saj, ndërkohë që duhej të na qetësonte neve tre fmijëve nga krejt ajo çka kishim përjetuar. Nanë falë zotit nuk zgjati shumë ky makth!

Për fat ndodhi qysh tha polici “i mirë” babin e lirun shumë shpejt se nuk kishte qenë personi që e kishin kërku.

Mandej ne me babin u bashkuam me kolonën e njerëzve pa e ditë kah kemi me shku…Deri në fund të luftës sa herë pash policë u luta ishalla s’ma marrin ma babin.

Përveç kësaj ngjarjeje unë e kujtoj luftën gati në çdo detaj çka kemi perjetu, falë edhe xhirimeve që ka ba babi edhe rrëfimeve të shpesht të krejt familjarëve për jetën si refugjatë gjatë luftës.

Përjetime si te neve fëmijëve dhe krejt njerëzve gjatë luftës në Kosove, mos prejtoftë kurrë kurrkush!