Fotografia shihet qartë por Policia ende se ka identifikuar sulmuesin nga Ferizaj

Fotografia shihet qartë por Policia ende se ka identifikuar sulmuesin nga Ferizaj

Policia e Ferizajt, ende nuk e ka identifikuar personin i cili sulmoi sot gruan rome në pikë të ditës, shkruan Insajderi.

Në një prononcim për Insajderin, Mehmet Alihajdini nga Policia në Ferizaj, ka thënë se ende nuk e kanë identifikuar sulmuesin, ani pse, ai shihet mjaft qartë nëpër videot dhe fotografitë që tashmë kanë rrjedhur nëpër medie e rrjete sociale.

“Është njësiti i hetimeve edhe të stacionit edhe të regjionit janë në teren dhe po presim rezultatet e tyre. Nuk e dimë ende, po shpresojmë që menjëherë por nuk e dimë”, ka thënë Alihajdini për Insajderin.

Ai ka thënë se gruaja është ende në Stacionin Policor dhe sipas tij nuk ka shenja të dhunës. Në një video që ka siguruar Insajderi, sulmuesi shihet ta ketë goditur në fytyrë me grushte dhe shqelma gruan. Por, Alihajdini, thotë se e ka parë vetë dhe nuk ka asnjë shenjë.

“Nuk vërehen shenjat jashtë, e kam parë edhe personalisht dhe nuk vërehen shenjat por  tash po presim Qendra për Punë Sociale me ardhë edhe  ndoshta do ta dërgojnë të mjeku sipas udhëzimeve të tyre. Sipas të gjitha gjasave Qendra për Punë Sociale do të merret me të, ne do t’i asistojmë sepse nuk ka më asnjë logjikë me e lënë të lirë, për tu sulmuar çdo ditë kështu, dhe do të ia bëjmë një zgjidhje”, ka thënë Alihajdini për Insajderi.

Pas sulmit në Lipjan, ky është sulmi i dytë ndaj gruas rome e cila u bë pre e medieve dhe rrjeteve sociale që kinse ajo po grabitë fëmijë, lajm i cili doli të jetë i rremë pas konfirmimit të policisë. Edhe pse, tashmë është thënë se gruaja do të mbrohet nga shteti, pa u bërë dy ditë ndodhi e kundërta dhe gruaja u sulmua përsëri./ Insajderi.com