Në mbledhjen e mbyllur të Këshillit të Bashkimit Evropian është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Siç ka kuptuar REL, ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.
Pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë, zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje prej kohësh për menaxhim më të mirë të njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.
Përmes këtij sistemi për autorizim të udhëtimit do të mblidhen dhe do të përditësohen informacionet e nevojshme për të vërtetuar se një person nuk përbën kërcënim për sigurinë.
Ky sistem është krejtësisht elektronik, që mundëson marrjen e informacioneve për banorët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Zonën Schengen.
Ky sistem është i ngjashëm me sistemin amerikan ESTA, që shërben për qëllime të njëjta.
Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.
Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.
Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.
E gjithë vëmendja e Kosovës është fokusuar tek mbledhja e komisionit në të cilin është parashikuar të diskutohet për procesin e liberalizimit të vizave.
Propozimi i Komisionit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është ende në pritje të votimit nga Këshilli i BE-së, ku disa vende anëtare janë betonuar për një kohë të gjatë në refuzimin e dhënies së kosovarëve, lirinë e lëvizjes.
Në raportin e publikuar të mërkurën, Komisioni Evropian i ka qëndruar prapa vlerësimit të nxjerrë korriku i 2018-s se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Këtë vlerësim e mbështeti edhe Parlamenti Evropian.
Gjatë prezantimit të raportit, Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Gjatë fjalimit të tij në Komisionin Evropian, Varhelyi tha se Kosova ka gëzuar stabilitet politik gjatë gjithë vitit dhe autoritetet vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre në rrugën drejt BE-së.
Gjatë pranimit të raportit nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Republika e Kosovës formalisht do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën e përshpejtimit të këtij procesi, si dhe nevojën urgjente të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.