Frashër Krasniqi numëron arritjet e PSD-së: Nuk u  fshehëm pas falltorëve dhe burdushëve

Frashër Krasniqi numëron arritjet e PSD-së: Nuk u  fshehëm pas falltorëve dhe burdushëve

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi ka numëruar sukseset e partisë së tij e cila u krijua tash një vit. Fillimisht ai ka thënë shume persona e konsideronin parti të dështuar, por më pas sipas tij të gjithë u morën me PSD-në.

Krasniqi shkruan se asnjë subjekt politik me vetëm 12 deputetë, deri më tani nuk ka realizuar më shumë projekte se sa PSD-ja.

Krasniqi shkruan po ashtu se ‘ nuk u fshehëm prapa falltorëve, burdushëve, e drejtuesve të SHIK-ut. Nuk i ikëm asnjëherë debateve’’.

Ja postimi i plotë:

Pak kush na besonte tash 1 vjet.

Ju do të dështoni. Nuk mundeni me i mbledhë as 20 veta, se lëre më me i mbushë sallat. Ju mezi bëheni 100 veta të gjithë bashkë, se lëre më me u shtri me degë e nëndegë gjithandej Kosovës. Ju jeni patericë. Ju nuk do të keni asnjë ndikim. Askë nuk do të mund ta bindni. Asnjë politikë nuk do të mund ta shtyni përpara. Ju do të korruptoheni. Do të futeni në qeveri. Ju jeni të vegjël. Shumë të vegjël. Të papërfillshëm!

Këto ishin vetëm disa nga sulmet që na u bënë. Ndërkohë që për 1 vjet ditë, gati përdit, u morrën veç me ne! Me atë subjekt të dështuar, që nuk i mbledhë dot as 20 veta, që do të shuhet së shpejti, etj., etj… Sepse, edhe kur ne nuk ishim të sigurt, të tjerët që na sulmonin po i shihnin qartë potencialet tona.

Asnjëherë në Kosovë, asnjë subjekt me vetëm 12 deputetë nuk ka realizuar më shumë projekte se sa PSD-ja. Brenda 1 viti u shtrimë pothuajse në të gjithë Kosovën. Kushtëzuam qeverinë që të miratojë ligje e projekte, që kurrë nuk do t’i bënte po të mos ishim ne. U shndërruam në njërin prej subjekteve të vetme që ka trend rritës në çdo sondazh që bëhet. E dëshmuam që në Kosovë mund të bëhet politikë pa synuar poste e privilegje, por as pa vajtuar e qëndruar anash. Asnjë nga ne nuk u bë më i pasur. Asnjë nga ne nuk u bë ministër. Ua hodhëm poshtë bash çdo akuzë. Dhe sonte do ta dëshmojmë që ne jemi shumë. Që ne i mbushim sallat. Sepse prej fillimit e deri sot, ne qëndruam ballëhapur, e thamë të vërtetën pa u frikësuar prej sulmeve, e nuk u fshehëm prapa falltorëve, burdushëve, e drejtuesve të SHIK-ut. Nuk i ikëm asnjëherë debateve.

Kur na sulmuan në fillim, kishin harruar që shumica prej nesh jemi rritur duke qenë pjesë e një subjekti të vogël. Jemi rritur duke u sulmuar nga çdo anë dhe prap ia kemi dalë. Jemi rritur duke na thënë gjatë gjithë kohës që “ju kurrë nuk do të fitoni”. Jemi rritur duke e kuptuar që në fund, kush duron, fiton ?

Çdo ditë jam më i lumtur që jam pjesë e Partisë Socialdemokrate. Që jam krahë njerëzve që synuan reformën por u “krasitën” nga ata që donin të kthehen prapa. Krahë njerëzve që sot po e ndërtojnë subjektin më progresiv në Kosovë.

Urime PSD.