Frashër Krasniqi publikon videon ku pretendon se Albin Kurti i hoqi vijat e kuqe për PDK-në

Frashër Krasniqi publikon videon ku pretendon se Albin Kurti i hoqi vijat e kuqe për PDK-në

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi ka publikuar një video nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të vitit 2016, ku lideri i tanishëm i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk e mohonte mundësinë e një koalicioni zgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës.

Në videon të cilën Krasniqi e ka publikuar në Facebook, në të cilën janë shfaqur disa pjesë të deklarimit të Kurtit lidhur me qëndrimin e Vetëvendosjes karshi PDK-së dhe LDK-së, Kurti e lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të dyja këto parti.

Ai thotë se për Vetëvendosjen do të ishte e rëndësishme që të vendoste në atë mbledhje nëse do të shkojë në koalicion me LDK-në apo PDK-në.

“Për mu LDK dhe PDK nuk është qysh po shtrohen si fakte njëherë e përgjithmonë. Ato i kanë karakteristikat e veta. Këto PDK dhe LDK i kanë katër komponent për brenda disa prej tyre nuk ndryshojnë, por disa ndryshojnë. Disa nuk i kanë si para një viti. Unë nuk jam i sigurt që pas 1 viti udhëheqja, madhësia dhe pozita e tyre mund të mos ndryshojë. Unë besoj se nëse ne marrim një vendim a po shkojmë me PDK-në apo LDK-në do të kishte rëndësi në veprimet praktike që i marrim sot”, thotë Kurti.

Po Kurti po ashtu shprehet se është i vetëdijshëm që PDK “e ka kapur shtetin”.

“Mendoj që kjo punë është shumë më fluide, dikush të bëj analizë shumë më konkrete edhe PDK-së edhe LDK-së, sondazheve të tyre. Vendimi jonë e do njëfarë analize paraprake. Kur themi PDK cili është përfytyrimi jonë, janë disa emra të përveçëm. Nuk mund të them qeshtu po ja bojmë. Nuk jam për me marrë njëfarë vendimi. E di që PDK-ja e ka kap shtetin, dhe pozita e saj është tejet e rëndësishme”, ishte shprehur Kurti.

Kurse në po të njëjtën ngjarje, Molliqaj i ishte kundërpërgjigjur Kurtit. Kishte thënë se PDK-ja nuk “ka asnjë gjasë” të ndryshojë.

“Nuk ka asnjë gjasë që të bëj ndonjë transformim në PDK. Kështu që nuk është situata e paqartë. Paqartësia jonë nuk është e dobishme. As me kta as me ata, është edhe me këta edhe me ata. Këtu nuk pajtohem me Albin Kurtin”, thotë Molliqaj. /Insajderi.com

Postimi i plotë i Frashër Krasniqit në rrjetin social Facebook:

VIDEO NGA KËSHILLI I PËRGJITHSHËM I VV, VITI 2016. ALBIN KURTI REFUZON QË VV TË KETË VIJA TË KUQE PËR PDK.Ne gjithmonë kemi pasur vija të kuqe ndaj PDK-së. Do të kemi edhe më tutje, dhe koha do ta dëshmojë këtë. Albin Kurti as nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë. Veç mos i ardhtë rasti se keni me u çuditë qysh ka me u arsyetu që "PDK tash ka ndryshuar, nuk është e njëjta, etj.", ashtu siç përpiqet me arsyetu në këtë video.Merruni me veten sepse askush nuk është duke ju kuptu qysh mundet një subjekt "kaq serioz" me u marrë 90% të kohës me një subjekt "të vogël" e "joserioz".I keni lodhë qytetarët tu shpifë, tu akuzu, tu qitë fall e tu vajtu. Ndaluni ma e mos na detyroni me ua shpërfaqë fytyrën e vërtetë. Mos te banalizojmë çdo debat, sepse nëse vazhdoni kështu, duhet t'i publikojmë të gjitha faktet e mbledhjeve që kanë të bëjnë me ndarjen tonë.

Posted by Frashër Krasniqi on Sunday, 23 December 2018