Federica Mogherini- Asistentja personale e Vuçiqit

Presidenti serb tash e disa vite ishte i pafuqishëm që të ndërmerrte veprime kundër Kosovës, përfshirë shfuqizimin e vendimit për taksën. Por, fuqi i ka dhënë Federica Mogherini, duke shërbyer si infuzion për Vuçiqin. Ajo nuk është më neutrale. Duhet të largohet nga posti i ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi. Pala kosovare duhet të ndërpresë dialogun, derisa Mogherini të shkarkohet nga posti i ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.

Federica Mogherini- Asistentja personale e Vuçiqit

Federica Mogherini nuk është më figurë neutrale në bisedimet Kosovë-Serbi. Për më keq, është figurë e urryer.

Unë nuk ka lexuar ende ndonjë urdhër apo vërejtje të Mogherinit drejtuar vetëm palës serbe. Në rastet kur e ka bërë këtë, vërejtja ka qenë përgjithësuese dhe drejtuar dy palëve-Kosovës e Serbisë.

Por, ndryshe shfaqet Mogherini në raport me Kosovën. Tejkalon rolin e saj si ndërmjetëse në bisedime. Jep urdhra. Madje, insiston që të zbatohen ato. Këtë e ka bërë edhe në rastin e vendimit të Qeverisë për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Një ndërmjetës neutral në bisedime do të jepte këtë deklaratë: Uluni dhe bisedoni. Gjejeni bashkë formën e bashkëpunimit.

Mogherini nuk e ka bërë. Ka dhënë urdhër që të hiqet taksa. Ka dëshmuar se nuk është neutrale në këtë mes. Ka dëshmuar se përkrahë dhe vajton palën serbe. Është shndërruar në asistente personale të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Presidenti serb tash e disa vite ishte i pafuqishëm që të ndërmerrte veprime kundër Kosovës, përfshirë shfuqizimin e vendimit për taksën. Por, fuqi i ka dhënë Mogherini, duke shërbyer si infuzion për Vuçiqin.

Kjo mungese neutraliteti e shefes së politikës së jashtme të BE-së është e rrezikshme për negociatat mes dy shteteve, Kosovës e Serbisë.

Kjo është kuptuar nga qytetarët e Kosovës. Profili i saj në Facebook është bombarduar nga mijëra komente. Kjo është bërë pikërisht në një status të saj që fliste për fuqinë e të drejtave të njeriut. Mijëra veta i shtruan një pyetje në gjuhën angleze: But where are humans rights for #Kosovo.

Mbi 17 mijë veta e bënë këtë. Reagimi erdhi pas vendimit për të mos e futur në rend dite liberalizimin e vizave për kosovaret dhe deklarimit të saj kundër vendimit për taksen ndaj produkteve serbe.

Derisa qytetarët e kanë kuptuar rrezikun që kanoset nga mungesa e neutralitetit të saj, nuk e di se sa e kanë kuptuar politikanët tanë.

Ata duhet të kërkojnë që Mogherini të largohet nga posti i ndërmjetësues në këto bisedime. Largimi i saj dëshmon se Bashkimi Evropian është një organizatë që udhëhiqet nga vlerat demokratike. Insistimi për të mbajtur Mogherinin në këtë post e dëshmon të kundërtën. Dëshmon se nuk është neutrale në procesin e dialogut.

Përndryshe, është i pakuptimtë vazhdimi i negociatave që ndërmjetësohej nga një politikane evropiane e anshme, e cila vendos në favor të Serbisë.

Derisa Mogherini nuk është neutrale, atëherë është e parëndësishme për Kosovën se a do të udhëhiqet delegacioni i dialogut nga presidenti Thaçi apo delegacioni qeveritar i bashkë drejtuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Në këtë situatë, të dy palët, edhe Thaçi edhe dyshja bashkëdrejtuese marrin rol qesharak. Ata vetëm i kontribuojnë karrierës personale të Mogherinit, e cila përfundon mandatin vitin e ardhshëm. Ajo synon që të përmbyll suksesshëm një proces delikat negociatash mes Kosovës e Serbisë. Ajo synon të garantojë më shumë pushtet për vetën në BE, se sa të garantoj zbatimin e marrëveshjeve mes dy shteteve. Kjo do të ishte legjitime, nëse ajo do të ishte neutrale në këtë proces dialogu.

Por, e keqja këtu është që Mogherit duket se nuk mendon se janë duke negociuar dy shtete mes vete. Ka dëshmuar se është e bindur që është duke ndërmjetësuar në negociatat mes një shteti dhe një krahine. Kjo e dyta është Kosova, në mendjen e saj. Duket se mendja ka ngelur në vitet e 90-ta, atëherë kur mund të ketë dëgjuar për herë të parë emrin Kosovë.

Një politikaneje me qasje të tillë duhet t’i jepet përgjigje rigoroze. Nëse BE-ja nuk e largon, atëherë pala kosovare duhet barrikaduar. Duhet të ndërpresë dialogun derisa shefat e Mogherinit ta shkarkojnë nga pozita e ndërmjetësueses në bisedime dhe ta emërojnë një përfaqësues neutral. Si shoqëri nuk i kemi pritjet e mëdha as për ndërmjetësuesin e mundshëm të ri. Duhet plotësuar vetëm dy kritere minimale: Të jetë neutral dhe të jetoj në vitin 2018.