Thaçi sërish në “konakun” e veprimtarit të vrarë të LDK-së

Thaçi sërish në “konakun” e veprimtarit të vrarë të LDK-së

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi së bashku me zyrtarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtakun, sot kanë vizituar Imer Imerin, vëllain e të ndjerit Haki Imerit, veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me çaj e kikirika, Thaçi dhe Lushtaku, u pritën në odën e Imerit në kohën kur Gjykata Speciale e ka intensifikuar punën e saj me ftesa për të intervistuar, në cilësi të të dyshuarëve e dëshmitarëve pjesëtarë të UÇK-së, shkruan Gazeta Online Insajderi.

Për këtë vizitë, ka folur edhe familja e të ndjerit, Haki Imerit. Ata kanë deklaruar se kjo ardhje e Thaçit dhe Lushtakut, mund të jetë e ndonjë pazari të mbetur në gjysme dhe nga frika e Presidentit për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

“Ardhja e dytë e Hashim Thaçit dhe Sami Lushtakut në Vojnik te Imer Imeri sot mund të ketë lidhje me ndonjë pazar të mbetur gjysmë nga viti 2016. Këto forma janë kuaj të vdekur që mundohen të ndikojnë në lidhje me dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale. Frika dhe paranoja e Hashim Thaçit ndaj Gjykatës Speciale e vë në drejtim të gabuar. Nuk mund ta shpëtojë asnjëri Hashim Thaçin nga veprat e lojëra të ndyta Presidenti Thaçi i ka pjesë të jetës së tij. Ne si familje e Haki Imerit kërkojmë drejtësi dhe besojmë fuqishëm që prapa vrasjës së vellait ,babait dhe axhës sonë qëndron Hashim Thaçi dhe Gani Thaçi”, ka deklaruar familja e Haki Imerit pas vizitës së Thaçit.

Kastriot Imeri, që është djali i Haki Imerit, kohë më parë, e akuzonte Thaçin për vrasjen e babait të tij.

Ai kishte thënë se “të gjitha argumentet dhe dëshmitë”, sipas tij, tregojnë se Thaçi i “njeh urdhërdhënësit dhe ekzekutorët”.

“Të gjitha argumentet dhe dëshmitë na qojnë se urdhërdhënësit dhe ekzekutorët i njeh H.Th. dhe besojmë se njëri ndër ta është vet H.TH. ndërsa vrasësit nuk kanë ndonjë rendësi për ne”, ka thënë Kastriot Imeri. “Drejtësia do të merret me dy palët: me urdhërdhënësit edhe me vrasësit”, kishte deklaruar ai.

Kastriot Imeri është distancuar nga axha i tij, Imer Imeri ku ky i fundit, është bërë i afërt me Thaçin.

E për afërsinë me të parin e shtetit, Imer Imeri, e ka që nga koha kur ishte takuar me Thaçin dhe i vëllai, ishte shpallur hero.

Për këtë nderim, Thaçi e kishte bindur Imerin duke i bërë be se nuk ka gisht në këtë vrasje.

Imer Imeri që dikur e ka akuzuar vazhdimisht Thaçin, ishte shprehur i bindur se Thaçi “nuk ka hak as hile në këtë krim”. Imeri kishte ndërruar pistat e dyshimeve dhe akuzave. Pas PDK-së, ai e kishte akuzuar LDK-në se nuk bëri asgjë për zbulimin e krimit, por vetëm përfitoi vota në emër të tij.

Edhe pse nuk e kishte përmendur më parë, Imer Imeri kishte lëshuar akuza edhe ndaj Rexhep Selimit dhe gruas së tij, duke pretenduar se ata të dy e kishin rrahur në burgun e UÇK-së në vitin 1999. Imeri kishte deklaruar se identitetin e gruas së Rexhep Selimit e kishte mësuar para dy-tre muajsh.

“Na ka rrahur edhe një femër është quajtur Shqipe, na ka rrahur me shkop. Por, nuk ia dija mbiemrin atëherë, më pas ia mësova mbiemrin para dy-tre muajsh. Ajo është shqipe Selimi, shoqja e Rexhep Selimit. Disa njerëz më kanë treguar që Shqipja është e martuar me Rexhepin dhe i ka dy fëmijë. Këtë e kam vërtetuar mirë, 100 për qind. E njoh mirë atë edhe në foto e kam parë”, kishte thënë Imeri.