“Frika” e çuditshme e Bedri Hamzës për buxhetin e zgjedhjeve – si ia kishte bërë Avdullah Hoti

“Frika” e çuditshme e Bedri Hamzës për buxhetin e zgjedhjeve – si ia kishte bërë Avdullah Hoti

Ministri i Financave në largim, Bedri Hamza po vazhdon të ngurrojë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Përderisa ditë më parë kishte përdorur një ‘argument’ që vendi mos të shkojë në zgjedhje për shkak të mungesës së buxhetit, ai tash po thotë diçka tjetër.

Hamza po thotë se është një fond i veçantë në buxhetin e Kosovës, por që sipas tij nuk e di ai nëse ka të drejtë për ta transferuar atë fond për zgjedhje të jashtëzakonshme. Ai thotë se ka nevojë për një sqarim juridik nëse si ministër i Financave ka të drejtë ta bëjë atë transferim për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Buxhet brenda KQZ për organizimin e zgjedhjeve nuk ka, për shkak se ky nuk ka qenë vit  zgjedhor në bazë të ligjit dhe kushtetutës. Po brenda Ministrisë së Financave është një fond, të cilën ministria ka të drejtë ligjore me transferu në cilëndo organizate buxhetore”, ka thënë Hamza për Gazetën Insajderin.

Ka thënë se për këtë të shkuar vendi në zgjedhje duhet të vije kërkesa në Ministrinë e Financave për fondet që duhet për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Për krejt këtë transfer ka nevojë për qartësim të situatës juridike pas dorëheqjes së kryeministrit, a jemi në dorëheqje, apo jemi ish-ministra, jemi ish-ministra atëherë është goxha problem legal se kush është ai që e nënshkruan këtë transfer do të thotë nuk është në pyetje që janë mjetet brenda ministrisë, mirëpo duhet mu sqaruar situata legale duhet me u shpall zgjedhjet edhe KQZ duhet me ardh me kërkesë te ministria e financave sa fonde nevojiten dhe për çka nevojiten”, ka thënë Hamza.

Por me këtë situatë, Kosova nuk është hera e parë që ishte përballur. Vendi ynë rregullisht pothuajse kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kishte qenë jo më lart se maji i vitit 2017, kur Qeveria e Isa Mustafës ishte rrëzuar nga mocion mosbesimi. Zgjedhjet parlamentare nuk kishin qenë të planifikuara për atë vit, megjithatë zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin mbajtur.

Sipas ministrit të Financave të Qeverisë së Isa Mustafës, Avdullah Hotit qeveria në largim është e obliguar t’i merr të gjitha masat për procesin e zgjedhjeve.

Ka thënë se rezervat shtetërore të buxhetit ndahen për raste sikurse janë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe kësisoj sipas tij Qeveria nuk është dashur t’i shpenzoi rezervat shtetërore.

“Zgjedhjet do të mbahen sepse Kosova nuk ka qeveri dhe institucione legjitime.  Qeveria në detyrë e ka për obligim të ndërmarrë masat e nevojshme për të bërë të mundshme që institucionet përkatëse, të cilat kanë obligime kushtetuese e ligjore për procesin zgjedhor, të kenë në dispozicion resurset dhe mbështetjen e nevojshme për të kryer obligimet e tyre”.

“Rezerva shtetërore ndahet me ligj te buxhetit për raste të pa parashikueshme, siç janë këto zgjedhje të jashtëzakonshme. Prandaj, qeveria është dashur të ketë kujdes të mos shpenzoj rezervën shtetërore për çështje që nuk janë të parapara me ligj”, ka deklaruar Hoti për Insajderi./Insajderi.com