Premtimet ishin se do të ndërtohen digat përgjatë lumit, por ato premtime nuk u realizuan kurrë.
Tashmë do të mbushen pesë vjet nga vërshimi i lumit në fshatin Poroj të komunës së Tetovës.
Pikërisht në fillim të muajit gusht të vitit 2015 banorët e këtij fshati u përballën me një situatë të rëndë duke kaluar orë të tëra tmerri, frikë dhe panik nga vërshimi i lumit të fshatit.
E tërë kjo situatë bëri që të dëmtohen urat e fshatit dhe të bllokohet rruga Tetovë-Jazhincë në drejtim të Kosovës, shkruan Insajderi.
U deshën më shumë se një javë punë që të zhbllokohet kjo rrugë dhe me muaj të tërë që të riparohen urat.
Në ndërkohë tri vjet më parë respektivisht në qershor të vitit 2017 lumi i këtij fshati vërshoi sërish duke dëmtuar përsëri urat, por edhe duke lënë një pjesë të fshatit pa ujë të pijshëm ngase ishte dëmtuar edhe rrjeti i ujësjellësit.
Pas tejkalimit të situatës ku fatmirësisht nuk kishte viktima, në vizitë erdhën ish kryeministri Zoran Zaev, me ish zëvendëskryeministrin Hazbi Lika dhe funskionarë të shumtë shtetërorë duke dhënë shumë premtime.
Por edhe pas tri vjetësh asnjë premtim nuk është përmbushur, kurse që nga ajo kohë nuk është vërejtur asnjë funksionarë që të qëndrojë për vizitë.
Që në atë kohë banorët kishin kërkuar që të ndërtohen diga të reja përgjatë lumit si e vemja zgjidhje që të mbrohet fshati nga vërshime më të mëdha.
Premtimet ishin se do të ndërtohen digat përgjatë lumit, por ato premtime nuk u realizuan kurrë.
Banorët disa herë kanë kërkuar që të realizohen premtimet e dhëna duke bllokuar edhe rrugën në shenjë revolte por deri më tash s’është ndërrmarrë gjë.
Banorët theksojnë se qeveria nuk ka marrë asnjë masë konkrete.
“Digat janë dëmtuar dhe nuk janë rregulluar. Nuk ka punuar askush deri më sot. Komuna ka bërë pastrimin e shtratit të lumit disa herë por kjo nuk mjafton, sepse edhe në të ardhmen do të kemi vërshime edhe më të mëdha sepse nuk janë marrë masa parandaluese përgjatë lumit. Digat në të kaluarën e kanë mbrojtur fshatin tonë nga vërshime më të mëdha, kurse ato janë dëmtuar, sepse janë ndërtuar dekada më parë, kurse tani funksionarët vetëm vijnë, premtojnë dhe nuk realizojnë asgjë”, thonë banorë të këtij fshati për Gazetën Online Insajderi.
Vërshimi i lumit të fshatit Poroj në vitin 2017 nuk kishte shkaktuar dëme më të mëdha, por shkaktoi vetëm probleme në një pjesë të fshatit duke dëmtuar një urë dhe dëme në bujqësi.
Banorët, shprehen se funksionarët vijnë vetëm kur ndodhin vërshimet, japin premtime të mëdha dhe në teren nuk realizojnë asgjë, duke i lënë në mëshirë të fatit.
Banorët tashmë edhe kanë hequr dorë edhe nga protestat sepse zhgënjimi tek ata është i madh.
Kërkesa kryesore e tyre është rregullimi i digave përgjatë këtij lumi, kërkesë kjo që është adresuar edhe tek qeveria edhe tek komuna, por vetëm “zhagitet” dhe nuk realizohet.
Premtimet e fundit se do të rregullohen digat i kanë dhënë ish zëvendëskryeministri Koço Angjushev dhe kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi e cila ka theksuar se ndërtimi i digave do të bëhet përmes fondeve ndërkombëtare por deri më tani edhe në këtë drejtim nuk ka asgjë konkrete./Insajderi.com