FSK e gatshme për misione paqësore

FSK e gatshme për misione paqësore

Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme që me kapacitetet e tanishme profesionale të japë kontributin e vet përkrah aleatëve në misione paqësore.

Kështu tha komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë një takimi sot me Michel Soula – shef i Operacioneve dhe Misioneve të NATO-s, i cili shoqërohej nga drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Michael Oberneyer.

Ai gjatë këtij takimi ka njoftuar shefin e Operacioneve dhe Misioneve të NATO-me të arriturat e fundit të FSK-së, si dhe planet e zhvillimit të saj në të ardhmen.

Gjenerallejtënant Rama tha se FSK-ja aktualisht është duke punuar në realizimin e objektivave që dalin nga plani gjithëpërfshirës i tranzicionit, teksa shprehu nevojën e thellimit të bashkëpunimit me NATO-n, Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), duke thënë se FSK është e gatshme që me kapacitetet e tanishme profesionale të japë kontributin e vet përkrah aleatëve në misione paqësore.

Një takim me zyrtarin e NATO-s ka pasur sot gjatë ditës edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, i cili foli në lidhje me procesin e tranzicionit të FSK-së, duke ri-konfirmuar se ky proces do të jetë transparent dhe i bashkërenduar me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë.