Forcat e Sigurisë të Kosovës janë në gjendje gatishmërie pas reshjeve të shumta të shiut.
Kështu ka thënë të dielën, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ai shtoi se ka kontaktuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xehlal Sveçla, për t’i treguar se “FSK ka ngritur gjendjen e gatishmërisë së njësive të saj të para reaguese, në rast të nevojës”.
“Bazuar në Sistemin e Menaxhimit të Integruar të Emergjencave dhe Planin e Reagimit Kombëtar, FSK është e gatshme të realizoj misionin kushtetues dhe detyrat e saj ligjore në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile qendrore dhe lokale”, ka shkruar ministri në Facebook.
“Gjithashtu, jemi në gatishmëri të plotë që me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale në dispozicion të ofrojmë shërbimin vetëmohues për ndihmë qytetarëve tanë”.
Kosova sot është përballur me reshje shiu, gjë që pos mbulimit të rrugëve me ujë, ka shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa komuna.
Moti i keq me shi ka përfshirë edhe Evropën, ku në Gjermani e Belgjike janë raportuar shumë të vdekur. /Insajderi.com