“FSK realizoi planet e këtij viti, më 2021 në mision paqeruajtës me Gardën e Ajovës”

“FSK realizoi planet e këtij viti, më 2021 në mision paqeruajtës me Gardën e Ajovës”

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka folur për të arriturat e Ushtrisë së Kosovës në vitin që lamë pas. Pavarësisht një viti të vështirë për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, Rama thotë se kanë shënuar suksese, njofton Insajderi.

Sipas tij, FSK-ja në vitin 2021 do të jetë shumë më operacionale, më e avancuar dhe në ngritje e sipër të kapaciteteve të reja bazuar në mandatin dhe misionin që ka.

“Ne kemi qenë të angazhuar që t’u dalim në ndihmë autoritetve civile bazuar në kërkesa dhe kapacitetet tona. Mund të them me përgjegjësi që ne kemi realizuar, pavarësisht vështirësive dhe sfidave, planin, qëllimin dhe synimin tonë për 2020”, tha Rama për RTV 21.

Tutje, ai njoftoi se janë në përfundim të procesit që FSK të jetë pjesë e misionit paqeruajtës bashkërisht me Gardën nacionale të Ajovës.

“FSK edhe me kapacitetet aktuale që i ka, kemi ofertuar të gjithë partnerët që ne jemi të gatshëm të kryejmë obligimet tona, ose të japim kontribut në misionet paqeruajtëse. Jemi në finalizim të procesit që në tre mujorshin e vitit 2021 do të jemi pjesë e misionit paqeruajtës bashkërisht me Gardën nacionale të Ajovës. Sa do që do të jetë numër simbolik, do jetë e arritur edhe për forcën edhe për Kosovën. Jemi në proces të përfundimit të anëve ligjore administrative dhe për herë të parë do të jemi në një mision paqeruajtës bashkë me Gardën Nacionale të Ajovës”, tha Rama./Insajderi.com