FSP-PTK paralajmëron greva dhe protesta para Qeverisë

FSP-PTK paralajmëron greva dhe protesta para Qeverisë

Këshilli organizativ i protestave i FSP-PTK-së, ka marrë vendim të prerë që nëse dështon hapja e xhirollogarive të Telekomit dhe fillimi i operimit normal të kësaj ndërmarrje gjatë kësaj jave, nga e hëna më datë 16.11.2020 nga ora 13:00, do të protestohet para Qeverisë së Kosovës, njofton Insajderi.

Madje, ky këshill pritet të fillojë po atë ditë edhe me greva të përgjithshme.

FSP e PTK-së për shkak të gjendjes së krijuar me COVID-19 dhe pas kërkesave që t’i jepet hapësirë dialogut lidhur me zgjidhjen e kontestit me Dardafon, ka pranuar që edhe kjo javë të jetë javë e negociatave përfundimtare për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme për Telekomin e Kosovës.

Punëtorët e Telekomit kanë paralajmëruar edhe më herët protesta e greva nëse Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr asnjë hap për të zhbllokuar llogaritë dhe kthimin e mjeteve në llogarinë e Telekomit, të cilat janë bllokuar e tërhequr nga kompania “Dardafon”, kompania amë e Z-Mobile, si pasojë e borxhit ndaj saj. /Insajderi.com