Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, po iu dërgon ftesa liderëve të partive opozitare për koordinim rreth dialogut me Serbinë, vetëm sa për të thënë se e ka bërë, nëse pyetet në të ardhmen se “përse nuk bashkëpunoi?”.
Kështu ka thënë analistja politike, Donika Emini, e cila e ka vlerësuar këtë qasje të Hotit të gabuar.
“Kjo qasje e Hotit ndaj gjithë partnerëve politik, po tregon vetëm atë që kur ta pyesin nesër se ‘pse nuk je konsultuar paraprakisht’, përgjigjja e tij mund të jetë ‘u kam dërgua ftesë, mirëpo nuk janë përgjigjur’ dhe me këtë ta heqë obligimin e konsultimit të brendshëm politik”, thotë Emini në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë.
“Kjo është e gabuar, sepse është një proces në të cilin duhet hyrë me sinqeritet të plotë. Këtë nuk e kam parë nga Hoti, as ndaj opozitës e as ndaj partnerëve të vet në qeveri, duke e ditur qartë që (lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush) Haradinaj, tashmë është duke e kritikuar zëshëm qasjen e Hotit në këtë proces”./Insajderi.com