Ftesat nga Specialja e dorëheqja e Haradinajt – mbledhje e jashtëzakonshme e Nisma-s

Ftesat nga Specialja e dorëheqja e Haradinajt – mbledhje e jashtëzakonshme e Nisma-s

Kryesia e Nismës Socialdemokrate do të mblidhet sot nga ora 17:00 për të diskutuar për ftesat nga Gjykata Speciale që janë bërë ndaj kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nisma-s, Jakup Krasniqi, kryeministrit, Ramush Haradinaj si dhe figurave tjera të UÇK-së.

Në këtë takim do të diskutohet edhe për dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar sekretari i Nisma-s, Endrit Shala.

“Po sot do të mbajmë një mbledhje prej orës 17:00 do të flasim për zhvillimet aktuale”, ka thënë Shala.

I pyetur se a është e gatshme Nisma për zgjedhje të jashtëzakonshme Shala ka konfirmuar se partia e tyre është e gatshme kurdo që t’i nënshtrohet procesit të zgjedhjeve.

Nisma Socialdemokrate së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kanë qenë në koalicion qeverisës.

Partia e Fatmir Limajt në këtë përbërje të qeverisë ka pasur pozitën e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri.

Të premten (19 korrik), kryeministri Ramush Haradinaj përmes një konference për media ka bërë të ditur se ka ofruar dorëheqjen e tij nga posti i të parit të ekzekutivit – kjo pasi që është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj ka kërkuar që vendi të shkojë menjëherë në zgjedhje dhe zgjedhjen e qeverisjes së re ta ketë në duar siç tha ai sovrani./Insajderi.com