Hetimi i ish ministrit

Ftohet AKI-ja ta inspektojë ish-zyrën e Xhelal Sveçlës

Thuhet se janë gjetur parregullsi në sigurinë fizike të dokumentacionit përkatës.

Ftohet AKI-ja ta inspektojë ish-zyrën e Xhelal Sveçlës

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është ftuar të bëjë një inspektim në zyrën ku qëndronte ish-ministri, Xhelal Sveçla, pasi një komision i ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur shqetësimin për gjendjen në të cilën janë gjetur disa dokumente të klasifikuara.

Komisioni është ngritur nga kabineti i ministrit të ri të brendshëm, Agim Veliu, njofton Insajderi.

Në komunikatën për media të ministrisë thuhet se “pas pranimit të detyrës së ministrit Veliu, në Kabinetin e Ministrit është gjetur një gjendje e parregullt e disa nga dokumentet e klasifikuara me nivel përkatës të klasifikimit”.

Komisioni i themeluar për këtë çështje, konstaton se “disa nga këto dokumentet nuk janë gjetur në gjendje të sigurisë fizike, sipas standardeve siç përcaktohet me ligj dhe me Rregullore”.

Pas këtij konstatimi MPB-ja, duke vepruar “në përputhje me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë”, ka ftuar Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, që përmes inspektimit të vërtetojë nëse këto shqetësime janë të arsyeshme apo jo”.

AKI-ja thirret për të parë nëse Kabineti i ish-ministrit Sveçla i ka ruajtur këto dokumente në kushte dhe standarde siç i përcakton Rregullorja për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar”. /Insajderi.com