
Komisioni për Legjislacion dhe Mandate në Kuvendin e Kosovës ka refuzuar propozimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, për ta emëruar në pozitën e drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës, Naser Shala, protagonistin e “Dosjes së Shefave”.
Me katër vota pro dhe katër kundër, Komisioni për Legjislacion dhe Mandate nuk e kaloi propozimin e kryeministrit Haradinaj për emërimin në pozitën e drejtorit të agjencisë qeveritare Naser Shalën, i cili njihet me nofkën “Ftyra”.
Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar PAN dhe përfaqësuesi i Grupit 6+ të minoriteteve votuan pro emërimit të Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës, ndërkaq Vetëvendosje dhe LDK votuan kundër.
Anëtarja e Komisionit për Legjislacion nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë për Insajderin se propozimi i kryeminisitrit nuk kaloi në mbledhjen e sotme të komisionit.
“Ishim katër për, katër kundër, por kur janë kështu me vota të barabarta propozimi nuk kalon”, ka thënë Haxhiu për Insajderin.
Vendimi i Kryeministrit i 9 marsit të këtij viti ka bërë që të propozohen dy kandidatë për pozitën e drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës. Ndër ta është edhe Naser Shala, i përfshirë në përgjimet telefonike të njohura si “Dosja e Shefave”.
Emri i Shalës dhe i Florije Kikës i janë propozuar Kuvendit për përzgjedhje. Kurse për postin e zëvendësdrejtorit Qeveria ka propozuar kandidatët Milaim Çekaj dhe Mark Buzhala.
Protagonisti i “Dosjes së Shefave”, Adem Grabovci, e kishte përdorur emrin e Naser Shalës i njohur me nofkën “Ftyra” për ta kërcënuar Jakup Krasniqin që të mos dilte kundër projekteve të PDK-së.
Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”.
Në kohën kur Grabovci kishte biseduar me telefon, Shala ishte në paraburgim i akuzuar për krime lufte në rastin Kleçka.
Shala, pos tjerash, akuzohej se kishte prerë me kosë të burgosur serbë të luftës.
Paraburgimi nuk e pengonte “Ftyrën” të komunikonte me ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin. /Insajderi.com