“Fundi” i Besim Beqajt, politikanit besnik të Thaçit që i ushtronte presion prokurorëve

Vendimi i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për të shkarkuar nga pozitat drejtuese të gjithë zyrtarët e partisë së tij të cilët kanë aktakuza, e ka prekur më së rëndi Besim Beqajn - ministrin e vetëm të PDK-së në Qeverinë Haradinaj që ka aktakuzë të konfirmuar. 

“Fundi” i Besim Beqajt, politikanit besnik të Thaçit që i ushtronte presion prokurorëve

I përfshirë në skandale, me një aktakuzë të ngritur dhe nën hetime për faljen e katër hidrocentraleve për KEDS-in, Besim Beqaj ka arritur që për shumë vite t’i rezistojë presionit publik – ndonëse jo aq të ashpër – për të mbajtur pozita të larta shtetërore.

Nëse për asgjë, Besim Beqaj do të mbahet mend për përfshirje në afera. Aty ku kanë plasur skandalet, ka qenë prezente figura e tij.

Në dy prej aferave më të mëdha të tri viteve të fundit në Kosovë: “Dosjen e Shefave” dhe rastin “Blakaj”, është lakuar edhe emri i ministrit të sapo shkarkuar nga PDK; në të dyja këto afera është shpërfaqur pushteti i madh që kishte fituar.

Por, këtë pushtet, Besim Beqaj dyshohet se e përdorte negativisht, për nepotizëm e për ushtrim të presionit ndaj prokurorëve.

Në skandalin “Dosja e Shefave”, serinë e të cilave përgjime i publikoi Insajderi më 2016, Beqaj shfaqej si njeri i afërt i Hashim Thaçit. Merrte kompetenca të plota nga ai, për të punësuar njerëz të PDK-së në ndërmarrjet publike: PTK, Infrakos dhe Trainkos.

Ndërkaq, në rastin “Blakaj” – ish prokurorit të Prokurorisë Speciale që dha dorëheqje para dhjetë muajsh -, Besim Beqaj ishte përmendur si njeri që i bënte presion prokurorit Elez Blakaj, përmes lidhjeve të tij me Aleksandër Lumezin, kryeprokurorin e Shtetit.

Ish-prokurori Blakaj e kishte akuzuar Beqajn për ndërhyrje në sistemin prokurorial. Kishte pohuar se Beqaj kishte ndikuar tek kryeprokurori Aleksandër Lumezi, që ministri të largohet nga aktakuza e rastit “Dosja e Shefave”.

Sipas Blakajt, Lumezi iu bërtiste e iu ulërinte prokurorëve, duke kërkuar llogari për Beqajn. Këtë e kishte konfirmuar edhe vet Lumezi. Kishte pohuar se e kishte takuar të akuzuarin Besim Beqaj. Kishte pohuar se i ishte dhimbsur Beqaj që ishte revoltuar në punën jo profesionale të prokurorëve që po e akuzonin.

Por, pas disa vitesh përfshirje në afera e skandale, politikanit, i cili kishte krijuar identitetin e një “të paprekshmi”, i erdhi fundi. Pas plot dhjetë vitesh, ai nuk do të mbajë më pozita shtetërore. Nuk do të ketë vend as në pozita drejtuese në parti.

Vendimi i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për të shkarkuar nga pozitat drejtuese të gjithë zyrtarët e partisë së tij të cilët kanë aktakuza, e ka prekur më së rëndi Beqajn – ministrin e vetëm të PDK-së që ka aktakuzë të konfirmuar.

Për t’u rikthyer sërish në pozita drejtuese brenda partisë dhe në institucione publike, Beqajt i duhet të pres derisa të përfundojë gjykimi i tij në rastin e “Dosjes së Shefave”.

Në aktakuzën e Prokurorisë, ku janë të përfshirë edhe dhjetë persona të tjerë, Beqaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të “shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.”

Ai pritet të dalë para Gjykatës më 26 qershor.

Por, krahas aktakuzës në rastin “Dosja e Shefave”, Beqaj është nën hetime nga Prokuroria Speciale e Kosovës edhe për rastin e faljes së katër hidrocentraleve për kompaninë turke, KEDS.

Besim Beqaj, së bashku me Mimoza Kusari-Lilën, Dardan Gashin dhe Nenad Rashiqin janë ish-ministrat nënshkrues të dokumentacionit të dosjes së privatizimit ku ishin falur këto katër hidrocentrale.

Por, rreth një vit pasi Prokuroria e Shtetit ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve e gati tri vjet pasi kishin thënë se janë duke mbledhë informata hetimi për “faljen e hidrocentraleve”, Beqaj dhe ish-ministrat e tjerë ende nuk janë intervistuar nga prokurorët.

Nëse hetimet e Prokurorisë Speciale të Kosovës rezultojnë me aktakuzë ndaj Beqajt për rastin e faljes së katër hidrocentraleve, atëherë ish-ministrit të PDK-së do t’i shtyhet qëndrimi jashtë pozicioneve drejtuese në parti e në shtet.

Pasuria e Besim Beqajt

Besim Beqaj njihej si njëri ndër ministrat më të pasur në qeverinë Haradinaj.

Në vitin 2018, si Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, kishte deklaruar 12 mijë euro para të gatshme ne emrin e tij. 116 mijë euro të përbashkëta. 26 mijë e 800 euro, para të fëmijëve, 3200 euro të bashkëshortes dhe 22 mijë euro të prindit.

Një lagje super luksoze që është në pronësi të familjes së ministrit Besim Beqaj ka filluar të marrë formë në Bellopojë të Pejës.

Plani i familjes Beqaj është që të ndërtojë 57 shtëpi luksoze, ndërkohë deri më tani janë ndërtuar vetëm gjysma.

Por ndërtimi i kësaj lagjeje është duke u parë me dyshime edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).

AKK kanë konfirmuar se lënda ndaj “Peja Hill” është duke u trajtuar.

“Ju njoftojmë se rasti në fjalë është pranuar dhe është në procedurë, pra duke u trajtuar”, thuhet në përgjigjen e AKK-së. /Insajderi.com