Nëse mjafton një USB për të bërë publike përmbajtjen e një kompjuteri, atëherë nuk ekziston më sekreti mjekësor, sekreti shtetëror, sekreti fiskal, anonimati i burimeve, as edhe ndonjë sekret tjetër legjitim që ligji e mbron.
Refleksi im i parë është që të duartrokas. Të duartrokasim përballë zbulimeve që na thonë se si kanë arritur të pushtetshmit dhe të pasurit që të fshehin në Panama paratë e krimit, të grabitjes dhe korrupsionit, apo se si bënin pasuri duke shmangur taksat.
Të duartokasim, sepse sekreti është i domosdoshëm për korrupsionin, sepse fundi i sekretit vlen sa puna e ushtrive të policëve dhe gjykatësve, dhe sepse mashtrimi fiskal shkakton më shumë dëme për një shtet, se sa edhe banda më e keqe kriminale, duke e privuar kolektivitetin nga burimet e nevojshme për arsimin, shëndetësinë, sigurinë, investimet dhe inovacionin.
Zbulimet janë një operacion shëndeti publik, por në të njëjtën kohë ushqejnë pikëpyetje të shumta mbi botën ku jetojmë.
E dinim tashmë që çdo veprim i yni është i gjurmueshëm. Edhe kur janë të fikur, telefonat tanë lejojnë të gjendet vendndodhja jonë në cilëndo pikë të planetit. Jo vetëm mund të përgjohen me një lehtësi shqetësuese, por ata zbulojnë detaje mbi miqtë tanë, kontaktet, qendrat tona të interesit, telefonatat dhe të afërmit me të cilës flasim. E njëjta gjë vlen për kompjuterët dhe tabletët tanë, që përmbajnë leximet tona të preferuara.
Por nuk është e gjitha. Ndërkohë që tërheqjet e parave në formë likuide kufizohen në mënyrë progresive, dhe paguajmë gjithnjë e më shpesh me karta krediti, është gjithmonë e më e kollajtë të gjurmohen shpenzimet tona, zhvendosjet dhe vendet që pëlqejmë të frekuentojmë.
Nuk mund të ruajmë më për vete, as edhe një moment të vetëm të jetës sonë. E gjithë kjo ua ndërlikon gjërat kriminelëve, të korruptuarve dhe terroristëve, por në të njëjtën kohë lehtëson veprimtarinë e policisë, në një botë ku diktaturat dhe regjimet autoritare janë më të shumta se sa demokracitë.
Duke marrë parasysh atë që ndodh në Kinë apo në Iran, është e qartë se jeta e një kundërshtari politik në këtë shekull, është shumë më e rrezikshme se sa në të kaluarën, deri në atë pikë që mund të pyesim nëse sot mund të ekzistojë një fenomen si ai i rezistencës, në kohët e Luftës së Dytë Botërore.
Të gjitha këto i dinim tashmë, por Panama Papers dhe rrjedhjet e tjera të informacioneve na kanë bërë të ngrejmë edhe një tjetër pikëpyetje. Nëse mjafton një USB për të bërë publike përmbajtjen e një kompjuteri, atëherë nuk ekziston më sekreti mjekësor, sekreti shtetëror, sekreti fiskal, anonimati i burimeve, as edhe ndonjë sekret tjetër legjitim që ligji e mbron.
Ekziston vetëm individi, krejtësisht “lakuriq” përballë inkuizicionit publik, apo policisë. Natyrisht që duhet të gëzohemi para faktit që të pushtetshmëve u hiqet maska dhe kriminelët zbulohen, por është gjithashtu e vërtetë që në terma kohëgjatë, zhdukja e sekretit do të favorizojë më të fortët dhe diktaturën, dhe sigurisht, jo më të dobëtit dhe lirinë./bota.al