Fushata “detyron” Hoxhajn t’i shmangë takimet e rëndësishme diplomatike

Fushata “detyron” Hoxhajn t’i shmangë takimet e rëndësishme diplomatike

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili së fundi është i angazhuar në fushatë zgjedhore, nuk ka marrë pjesë sot në takimin e nivelit të lartë diplomatik, të mbajtur në Berlin. Aty kryediplomatët e shteteve të rajonit janë takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Ministri në detyrë i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, shteti i të cilit poashtu gjendet në fushatë zgjedhore. Bushati ka thënë pas takimit se me ministrat është diskutuar për rritjen e aftësisë së vendeve të rajonit për të “përthithur më shumë investime të huaja dhe për të krijuar më shumë vende pune”.

Ndërkaq, Hoxhaj gjatë ditës së sotme ka qëndruar në vendlindjen e tij në Therandë, duke marrë pjesë në fushatë zgjedhore. Ai është kandidat për deputet i koalicionit PDK-AAK e Nisma.

Hoxhaj, ngjashëm kishte vepruar edhe më 25 maj.  Derisa homologët e tij të rajonit ndodheshin në Romë me ftesë të Ministrit Angelino Alfano për t’u përgatitur për Samitin e Ballkanit Perëndimor, Hoxhaj ka qëndruar në Rahovec e pastaj në Prizren duke prezantuar programin e “Fillimit të Ri”.

Derisa Hoxhaj ka munguar në këto dy takime, Kosova është përfaqësuar nga Drejtori i MPJ-së, Albert Prenkaj, që nënkupton përfaqësim nga një rang më i ulët diplomatik krahasuar me vendet e tjera.

Insajderi ka provuar të marrë një koment nga Ministria e Jashtme lidhur me mungesat e Hoxhajt në takime, por deri më tani MPJ nuk është përgjigjur.

Kosova është në ditën e dytë të fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit. Por, në fakt një “para-fushatë” intensive kishte filluar menjëherë pas rënies së Qeverisë së Kosovës më 10 maj.

Partia e Hoxhajt, PDK, ka lidhur një koalicion me dy parti opozitare – AAK-në dhe Nismën, kurse për kundërshtarë kanë koalicionin mes LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Në qeverisjen e drejtuar nga Isa Mustafa, Hoxhaj ka shërbyer për herë të dytë si ministër i jashtëm. Para kësaj, ai ka qenë edhe Ministër i Arsimit. /Insajderi.com