Futbollisti i njohur pjesë e listës së AAK-së për asamblenë komunale në Prishtinë

Futbollisti i njohur pjesë e listës së AAK-së për asamblenë komunale në Prishtinë

Në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për asamblenë komunale në Prishtinë do të jetë edhe futbollisti i njohur, Kushtrim Mushica.

Lajmin e ka bërë të ditur kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj.

“Në listën e AAK-së për Prishtinë do të jetë edhe ikona e futbollit Kushtrim Mushica. Sot edhe zyrtarisht po i hyn garës për Prishtinën njëri ndër sportistët më të dalluar të kryeqytetit tonë. Kushtrim Mushica për vite të tëra mbajti lart flamurin e sportit kosovar”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka shtuar se gara e AAK-së për Prishtinën do të ketë gjithpërfshirje.

“Sporti në tërësi në Kosovë, dhe veçmas në Prishtinë, ka arritur që të jetë njëra ndër vlerat më të larta të rinisë sonë, prandaj edhe do të ketë mbështetje të parezervë nga qeverisja e ardhshme. Kryeqyteti ynë ka mbi 200 klube sportive të natyrave të ndryshme, të cilat shpeshherë edhe janë injoruar nga qeverisjet e deritanishme”.

Haradinaj ka thënë se sporti është zemra e rinisë dhe se në këtë mënyrë do të trajtohet dhe premtoi se “Plisat” e Prishtinës do të jenë me zyre dhe se do të kenë buxhetin e vet në një të ardhme të afërt./Insajderi.com