Në historinë e zaptimit të pozitave publike, asnjëherë nuk ka pasur reagime më shumë nga ndërkombëtarët sesa tash. Ata, nuk kanë asnjë inati personal me “Ftyrën”, por me aktin e përqafimit të krimit nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët u vunë në shërbim të pronarëve të paligjshëm të pasurisë publike. Kontrolli i mafias politike kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm sesa sot. Pasuria publike është prerë që shumë vjet. Kosa ka rënë mbi shpinën e saj. Rrjedhimisht edhe mbi qafën e atyre që tashmë ia kanë shtirë mafias.
Fytyrën e “Ftyrës” e kam parë qindra herë në Gjykatë. Fytyra e tij nuk ka ndryshuar kurrë. As atëherë kur sillej me pranga në duar, as atëherë kur mbrohej në liri, as atëherë kur i vazhdohej paraburgimi, e as atëherë kur shpallej i pafajshëm.
Krejtësisht i ftohtë kundrejt akuzave që po i bëheshin: akuzohej për vrasjen e një civili shqiptar të quajtur, Arben Avdyli, akuzohej se kishte marrë pjesë në vrasjen e katër serbëve. Akuza më e rëndë që binte mbi të, ishte prerja e një njeriu me kosë të ndryshkur.
Gjatë procesit gjyqësor, Gjykata kishte administruar dëshmitë e Agim Zogajt. “Bima ni kosë se tash i kallxoj këtij derri”, e citonte “Ftyrën”, Agim Zogaj, dëshmitari kryesor në rastin “Kleçka”, i cili vdiq në rrethana të dyshimta në Gjermani.
“Naser Shala i tha Fatmir Limës ‘unë do ta vras këtë derr’. Pastaj Limaj u largua. Pas pak kohe grupi i largua nga oborri. Nga largësia Naser Shala, bërtiti ‘gjema një kosë dhe unë e pres atë’ duke mu drejtuar mua personalisht. Unë e gjeta kosën diku afër shtëpisë së djegur. Më kujtohet se kosa ishte djegur dhe nuk kishte bisht pasi që bishti i djegur iu kishte djegur tërësisht. Ia dhashë tehun e kosës, Arben Krasniqin i cili pastaj ia dha Naser Shalës. Naser Shala vuri rreth kosës ca rroba të vjetra të cilat i gjeti në fushë në mënyrë që ta përdorte kosën pa i prerë duart”. kishte rrëfyer, dëshmitari Agim Zogaj, një pjesëtar i UÇK-së dhe roje burgu në Kleçkë.
“Naser Shala, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Van Damme e nxorën serbin nga bodrumi i shtëpisë së vjetër dhe e morën në fushë tek gropa që e përmenda më herët. I ndjeka diku 30-40 metra. Kur arritën tek gropa e pash të ulur serbin dhe pastaj Naser Shala filloi ta priste disa herë me kosë. Ai i ra në qafë, në shpinë dhe në këmbë. Serbi nuk bërtiste apo thërriste – ai qëndroi i heshtur gjatë terë kohës që prehej me kosë. Kur ai vdiq njerëzit e shtynë në gropë”, kishte rrëfyer ai.
Dëshmitari dhe Arben Krasniqi ishin urdhëruar nga Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala që të merrnim disa lopata dhe ta mbushnim gropën.
Trupi i viktimës dhe mjeti i kryerjes së krimit ishin gjetur nga ekspertët e mjekësisë ligjore rreth një dekadë pas krimit. Varri, afër varrezës tjetër me viktima tjera ishte zbuluar si rezultat i dëshmive të dëshmitarit, “X”.
Akuza për vrasje me kosë ka qenë akuza më e rëndë e dëgjuar në Gjykatë. Ajo rëndonte mbi “Ftyrën”, personazhin negativ në sy të diplomatëve perëndimor të akredituar në Prishtinë.
Mirëpo, “Ftyra” nuk ndërronte çehre, cka zbulonte në publik personalitetin e akullt të tij përballë një akuze kaq të rëndë.
“Ftyra” ishte rikthyer si figurë e frikshme në serinë e përgjimeve të publikuara nga Insajderi rreth tri vjet më parë. “Ftyra” ndodhej në burg, (2012) si i akuzuar për krime të ndryshme të luftës në kohën kur Adem Grabovci, thirrej në emrin e tij për ta kërcënuar ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, se “ta kanë nanën ‘Ftyra’”.
Për disa vjet tjera, “Ftyra” zhduket nga skena publike, derisa atë e propozon Qeveria për drejtor të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Në tentativën e parë për ta zgjedhur në këtë post publik, koalicioni kishte dështuar të siguronte votat e mjaftueshme. Një vit më vonë, kur lobi i udhëhequr nga Haxhi Shala, arriti t’i bindë deputetët që ta votojnë, “Ftyra” u zgjodh drejtor i kësaj agjencie.
Por, pse “Ftyra” u përzgjodh për këtë pozitë?
Kosova, thuajse nuk e ka asnjë dokument kadastral origjinal. Ato ishin grabitur gjatë luftës nga regjimi i Milosheviqit. Gjatë negociatave në Bruksel, Kosovës i janë kthyer kopje të këtyre dokumenteve.
Jo të gjitha.
Kësisoj, shumë prona janë tjetërsuar. Pronarë të tyre, janë kryesisht njerëz të pushtetit dhe të pushtetshëm.
Mafia ka arritur që të bëhet pronare e shumë hektarëve tokë në Kosovë. Mafia tashmë po bëhet pronare edhe e dokumenteve kadastrale.
Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, një agjenci e re që do ta pasojë Agjencinë e Kosovare të Pronës, nuk do të kishte ndonjë peshë të veçantë po mos të ekzistonte Azem Syla dhe soji i tij.
Syla, është bërë sinonim i përvetësimit të tokave të shtetit dhe shitjes së tyre në vlerë mbi 30 milionë euro. Këtë e ka bërë me një grup kriminal, vrasës të rryer në përbërje të të cilit ishin Nazim Bllaca, Shaban Syla, Bekim Syla, Driton Hajdari etj.
Fuqia e tyre përshkruhet më së miri me funksionet dhe lidhjet e këtij grupi. Shpresim Uka, punonte në PTK gjatë kohës sa kryente edhe vrasje. Pak ditë pas humbjes së vendit të punës si pasojë e arratisjes, vajzën e punësoi në PTK. Sepse këtë ndërmarrje e kontrollonte atë kohë struktura parapolitike e PDK-së.
Driton Hajdari, një tjetër vrasës ishte plagosur në një aksion për vrasjen e Ismet Arifit, një aktivist i LDK-së. Mjekimin e tij, sipas dëshmive e kishte bërë, doktori i SHIK-ut. Banda kriminale i kishte dhënë atij statusin e invalidit të luftës, kurrë pa qenë pjesë e luftës.
Shteti paguante për të nga 270 euro në muaj.
Pronarë të shumtë tokash e biznesmenë të lidhur me Azem Sylën, siç është Bajram Gashani, i kompanisë “Al Trade”, e duan “Ftyrën” në pozitën e drejtorit të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Sepse, puna kryesore që do të bëjë ai, është rehabilitimi me letra i këtyre pronave dhe pronarëve të paligjshëm.
Muaj më parë “Indoks”, solli një dokumentar në dy pjesë për një tokë prej 20 hektarëve që peshon mbi 20 milionë euro. Historia e saj është e përgjakshme. Afro 2 dekada konflikte.
Kjo tokë për të cilën AKP-ja thotë se është e saj, Arben Bashota, i cili akuzohet se është lider i një grupi kriminal, pretendon se e ka blerë nga një serb që tashmë ka vdekur. Në këtë tokë operojnë me biznese edhe njerëz të përshkruar si mafiozë, si Curr Osmani. Ai pretendon se ligjërisht, përmes “Bujqësisë” bashkë me biznesmenin Murat Tërnava, e ka marrë këtë tokë në shfrytëzim nga një ndërmarrje shoqërore.
E episode të ndryshme të kësaj historie çuan në përleshje të armatosura. Në këtë konflikt ishte përfshirë edhe krimineli, Ruzhdi Shaqiri-Baksi, i cili vite më parë është vrarë nga Gani Geci.
Konflikti mes pretendentëve për pronësi tashmë është heshtur paksa. Por, pretendimet mbi tokën nuk janë shuar asnjëherë nga asnjëra palë. Më e pafuqishmja është treguar Agjencia Kosovare e Privatizimit, që nuk ka arritur ta administrojë atë plotësisht.
Histori si këto të dyja në Kosovë ka shumë. Pronësinë mbi këto toka do ta kenë ata që do të sigurojnë dokumente, me të cilat do të menaxhojë agjencia e udhëhequr nga “Ftyra”.
Në qarkun 20 vjeçar të zaptimit të pozitave publike, kurrë nuk ka pasur më shumë reagime nga ndërkombëtarët sesa tash. Katër ambasadorë, ai britanik, amerikan, gjerman dhe ajo e BE-së, dolën hapur kundër emërimit të tij.
Ata, nuk kanë asnjë inati personal me “Ftyrën”, por me aktin e përqafimit të krimit nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët siç po duket u vunë në shërbim të pronarëve të paligjshëm të pasurisë publike.
Të pushtetshmit kontrollojnë thuajse gjithë pasurinë, sepse mafia politike nuk ka pësuar rënie. përkundrazi.
Pasuria publike është prerë sipas interesave të të fortëve. Kosa që ka rënë mbi shpinën e saj, e ka bërë të vetën. Rrjedhimisht, të vetën e ka bërë edhe mbi qafën e atyre që tashmë ia kanë shtirë mafias. /Insajderi.com