Kryeministri Ramush Haradinaj ishte kthyer me një optimizëm nga vizita e mesit të nëntorit në Bruksel, duke thënë në intervistat pas kthimit se ia kishte bërë të qartë Brukselit dhe përfaqësueses së saj Frederica Mogherini se qasja e tyre ndaj Kosovës nuk mund të vazhdojë në këtë formë.
Haradinaj kishte thënë se në takim me Mogherinin ia kishte shprehur pakënaqësinë për mos liberalizimin e vizave për kosovarët dhe madje e kishte përshkruar takimin me zyrtaren e lartë të BE-së, si një surprizë për vet ata, pasi sipas Haradinajt, “Brukseli duket se ishte mësuar me kryeministrat e tjerë kosovarë që tjera gjëra kanë folur në Bruksel e tjera gjëra kanë folur për publikun në Kosovë”.
Vizita e parë e Haradinajt si kryeministër në Bruksel
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se në Bruksel u habitën me qasjen e drejtëpërdrejtë të tij, pasi kryeministrat e mëhershëm Hashim Thaçi e Isa Mustafa tjera fjalë kanë thënë në #Kosovë e tjera prapa dyerve të mbyllura.
Posted by Insajderi on Wednesday, 22 November 2017
Por atmosferë aspak miqësore nuk është parë as në fotografitë zyrtare të takimit të dytë të Haradinajt me Mogherinin.
Në fotografitë zyrtare të publikuara nga zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kojanciq, Haradinaj shihet me fytyrë të ngrysur gjatë fotografisë së realizuar me Mogherinin.
Për dallim nga fotografitë e liderëve të tjerë, kryeministren e Serbisë, kryeministrin e Malit të Zi, Maqedonisë e Shqipërisë që kanë pozuar të gjithë duke qeshur, Haradinaj shihet nervoz në këtë fotografi.
Para nisjes në Bruksel, Haradinaj kishte thënë se po shkon në Bruksel për të gjetur një zgjidhje, duke përmendur muajin mars si muaj kur pritet të liberalizohen vizat për kosovarët. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës është kushti i mbetur që të plotësohet që BE-ja të liberalizoj vizat.
Haradinaj ka dërguar në Kuvend demarkacionin së bashku me një dokument të Komisionit për Shënjimin e Kufirit që ka gjetur se ajo marrëveshje është në kundërshtim me territorin e saktë të Kosovës, duke aluduar se Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për kufirin me Malin e Zi përmes së cilës humbë territor.
Në anën tjetër Mogherini që nga ora 20:00 është në një darkë me kryeministrat e Ballkanit të quajtur si darkë informale. Nuk ka shumë detaje nga kjo darkë, dhe asnjë njoftim zyrtarë nga BE-ja. Megjithatë kryeministri Haradinaj në intervistat e tij të fundit, kishte deklaruar se Kosova nuk mund të shkoj kot duke harxhuar kohë në Bruksel, nëse takimet atje nuk dhënë rezultat duke iu referuar dialogut me Serbinë.
Haradinaj kishte folur edhe për mungesën e flamurit të Kosovës në takimet e përfaqësuesve kosovarë me zyrtarë të lartë të BE-së duke thënë se herën e kaluar, në nëntor, e kishte pyetur Mogherinin pse nuk ka flamur të Kosovës. Mogherini sipas Haradinajt ishte arsyetuar se në Komisionin Evropian flamuri i Kosovës mungon për shkak të pesë vendeve që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës./Insajderi.com