Ministrat e Jashtëm të G7, kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen më shumë në dialog, njofton Insajderi.
Unioni që përbehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Franfa, Gjermania, Italia, Japonia si dhe Mbretëria e Bashkuar – kërkuan që të ketë dialog konstruktiv ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog me ndihmën e BE-së për të normalizuar plotësisht marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, që do të kontribuonte në stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratë të përbashkët të përfaqësuesve të G7.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, javë më parë kanë pasur vizita në Bruksel veç e veç – ku temë kryesore ishte dialogu.
Qershori është përmendur si muaj potencial ku mund të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi. /Insajderi.com