Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj, i ka quajtur të ulëta dhe të papranueshme sulmet dhe ofendimet ndaj kryediplomates Donika Gërvalla, njofton Insajderi.
Ndërsa, lidhur me përplasjen e sotme në Kuvend, mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, Dreshaj tha se pamjet e tilla janë të shëmtuara dhe të panevojshme.
Ai ka kërkuar që të ndalohet lufta mes pozitës dhe opozitës dhe të fokusohet në luftimin e pandemisë.
Dreshaj, që jeton dhe vepron në Gjermani, ka numëruar ngjarjet e sotme në pesë pika.
“Së pari, skenat e sotme në parlament janë të shëmtuara dhe të panevojshme. Së dyti, sulmet dhe ofendimet ndaj Donika Gërvallës janë të ulta dhe të papranueshme fillimisht si grua, e më pas si përfaqësuese e jona. Së treti, lufta e jonë e përbashkët duhet të jetë pandemia, vaksinimi dhe lufta ndaj krizës ekonomike, e jo lufta politike pozitë-opozitë. Së katërti, sot janë bërë 45 ditë të Qeverisë Kurti. Prisni 100 ditë, prisni edhe pak dhe të japim një gjykim e vlerësim të përbashkët. Më pas, shohim e bëjmë”, ka thënë ai.
“Së pesti, të gjithë ne në politikë në të kaluarën kemi bërë deklarata të ngutura e nganjëherë të pamatura. Shpesh nga ndikimet e fushatave elektorale, e nganjëherë nga emocionet e momentit. Të rëndësishme janë qëndrimet e të tashmes dhe të ardhmes, andaj besoj në qëndrimet konstruktive dhe kombëtare të zonjës Gërvalla tani si ministre”, ka shtuar Dreshaj./Insajderi.com