Kandidati për kryetar të Istogut nga radhët e AAK-së, Gani Dreshaj ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po ofendon fëmijët e ish-presidentit Ibrahim Rugova: Ukën dhe Teutën.
Sipas Dreshajt, është djali i ish-kryetarit të Komunës së Istogut nga LDK, Fadil Ferati, që ka ofenduar fëmijët e ish-presidentit Rugova.
“Rastësisht sot e lexova një postim në Facebook të djalit të ish kryetarit të respektuar të Istogut, Fadil Feratit. Rreshti i parë i statusit thoshte se Teuta dhe Uke Rugova nuk perfaqesojne askend perveç vetes së tyre”, ka thënë Dreshaj.
Dreshaj ka deklaruar se LDK ende vazhdon të kërkojë vota në emër të Presidentit historik, dhe në të njëjtën kohën ia ofendon fëmijët e tij.
“Është plotësisht e paimagjinueshme se si LDK edhe pas kaq shumë vitesh kërkon vota në emër të presidentit historik, dhe në të njëjtën kohë ia ofendon fëmijët e tij. Të dashur bashkëvendas, e kam thënë vazhdimisht, do ta them gjithmonë se Istogu është qyteti i Ibrahim Rugovës dhe si i tillë do të mbetet përherë”, ka thënë Dreshaj. /Insajderi.com