Njëri prej ushtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Geci, ka thënë se do të udhëtojë për në Hagë gjatë shtatorit për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e Gjykatës Speciale, njofton Insajderi.
Sipas tij, arsyeja e thirrjes së tij në Hagë mund të jetë Komunikata nr.59 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Mendoj se jam i ftuar të dëshmoj për Komunikatën nr.59. Prej kësaj komunikate më janë vrarë dy shokë”, ka thënë Geci në Kanal10.
“Çështja Sandokani është sqaruar tashmë, por nësë pyetem për këtë do të dëshmoj sërish” është shprehur Geci.
Ai më tej ka treguar se rastin e Komunikatës nr.59 ia ka paraqitur edhe Prokurorisë së Kosovës.
“Ia kam paraqitur Komunikatën nr.59 ish-prokurorit Sylë Hoxha, por më ka thënë se është rast i vjetër”, ka përfunduar ai.
Në këtë komunikatë, Gani Geci ishte shpallur ‘tradhtar’ dhe ishte kërkuar likuidimi i tij. /Insajderi.com