Në mandatin katërvjeçar 2017-2021, kryetarët e komunave në Kosovë kanë përmbushur 51 për qind të premtimeve.
Kështu është bërë e ditur nga Instituti GAP, i cili ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” vlerësimin më të fundit rreth përmbushjes së premtimeve të kryetarëve të komunave nga zgjedhjet lokale 2017.
“Nga 913 premtime të dhëna nga 26 kryetarë aktual të komunave, 467 premtime janë përmbushur plotësisht, 165 premtime janë gjysmë të përmbushura, në 159 premtime ka pasur nisma në përmbushjen e tyre, ndërsa 122 premtime nuk janë përmbushur fare”, thotë GAP-i.
Ndërsa, në mandatin e kaluar (2013-2017), sipas këtij instituti ishin përmbushur vetëm 47 për qind e premtimeve.
Sipas tyre, premtimet më pak të përmbushura rezultojnë të jenë në fushën e urbanizimit, në shërbime publike dhe në arsim.
Në anën tjetër, premtimet që janë përmbushur më së shumti kanë të bëjnë me mirëqenien sociale, me shëndetësinë dhe me administratën publike.
Në këtë mandat qeverisës, Instituti GAP ka monitoruar përmbushjen e premtimeve në 26 nga 38 komunat, ngase 12 nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore më 2017 (Skenderaj, Mamusha dhe komunat me shumicë serbe).
“Nga 122 premtimet jo të përmbushura, 95% e tyre kanë qenë kompetencë e komunave për t’u përmbushur, ndërsa 5% kanë dalur të jenë premtime që përmbushja e tyre është varur nga bashkëpunimi ndër institucional”.
“Përmes vlerësimit të përmbushjes së premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim edhe me organizatat lokale”./Insajderi.com