Instituti GAP ka publikuar raportin statistikor “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë” për vitin 2020, në të cilin thuhet se si pasojë e pandemisë dhe ndërrimit të dy qeverive brenda vitit, pozita e grave në tregun e punës është renduar, përcjell Insajderi.
Gjatë vitit 2020, shkalla e punësimit është tri herë më e madhe të meshkujt se sa të femrat, përkundrazi që numri i vajzave që studiojnë është më i madh.
“Në vitin 2020, shkalla e punësimit tek gratë ishte vetëm 14.4%, ndërsa tek burrat 46.2%. Përkundër se numri i vajzave që ishin duke studiuar apo që i kanë përfunduar studimet ishte ndjeshëm më i lartë se i djemve, të dhënat tregojnë se pjesëmarrja e tyre në tregun e punës mbetët ende e ulët, ku vetëm 21.5% e grave në moshë pune janë aktive në tregun e punës”,thuhet në njoftim.
Raporti, tutje thotë se tek pozitat kyçe në qeveri, gjatë vitit 2020, Qeveria Kurti kishte emëruar gra në 21% të pozitave ndërsa në Qeverinë Hoti 14%.
“Në pozitat drejtuese, shërbimin civil dhe stafin akademik, gratë kanë mbajtur rreth një të tretën e pozitave edhe në vitin 2020. Ndërsa në administratën komunale të disa komunave, sidomos atyre të vogla, vetëm çdo i pesti vend i punës mbahet nga gratë. Ndërkaq shkalla e papunësisë tek gratë, që përfshin vetëm personat të cilët kërkojnë punë, ishte 33.1% ndërsa tek burrat 21.5%”, ka shkruar ky Institut.
Sipas këtij instituti edhe këtë vit, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave.
“Numri i grave punëkërkuese të regjistruara në Agjencinë e Punësimit në vitin 2020 ishte 90,677, kurse numri i burrave punëkërkues të regjistruar në këtë agjenci ishte 109,900’, behët e ditur në një njoftim për media./Insajderi.com