Në vjeshtë të këtij viti, qytetarët në Kosovë pritet t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës të tyre.
Në garë për t’i udhëhequr istogasit janë Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk nuk kanë vendosur, por një nga këta emra pritet të kandidojë: Agron Avdijaj, Qerim Rexhaj ose Korab Blakaj. Partia Demokratike e Kosovës po ashtu s’ka vendosur akoma, por burime të Insajderi-n bëjnë të ditur se Lulzim Shoshi do të jetë kandidat dhe pritet të zyrtarizohet së shpejti.
Istogu është njohur deri tani si bastion i LDK-së, pasi nga kjo e fundit është udhëhequr që nga mbajtja e zgjedhjeve të para.
Fadil Ferati nga kjo parti ishte kryetari i parë i Istogut. Pas vdekjes së tij në vitin 2021, timonin e mori në dorë Haki Rugova, i cili e mbajti këtë pozitë për tri mandate.
Por, kryetari aktual, nuk do të kandidojë më për të parin e qytetit.
LDK-ja të premten mbrëma ka zyrtarizuar kandidaturën e Ilir Feratit, djali i ish-kryetarit Fadil Ferati, për kryetar të Istogut.
Ferati në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, tha se beson fuqishëm se në këto zgjedhje do të dalë fitues.
Për kundërkandidatët e tjerë tha se ka respekt, por “janë duke garuar për vend të dytë”.
Ai theksoi se turizmi, zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia e bujqësia do të jenë prioritetet e tij në rast se zgjidhet kryetar.
“Ekipa veçse ka filluar punën në projektet kontrete, por s’kisha dashur të zbulojë diçka në këtë fazë. Mendoj se duhet të prezantohen ditëve në vijim, bashkërisht me qytetarët në takimet që do t’i mbajmë”.
Pretendenti për kryetar të Istogut potencoi se në qeverisjen aktuale të Rugovës ka pasur projekte të mira, të cilat shtoi se do t’i vazhdojnë në katër vitet e ardhshme.
I pyetur për dënimin e këtij të fundit me një vit burgim për konflikt të interesit dhe nëse kjo mund të ndikojë në rezultatin e LDK-së në zgjedhje, Ferati tha se “do të mundohemi që të takohemi me secilin qytetar dhe të flasim për punët e mira që LDK-ja i ka bërë ndër vite në Istog e deri më tash”.
“Mendoj që z. Rugova është duke i shfrytëzuar rrugët ligjore. Për vendimin që përmendët, nuk jam i prirur për ta komentuar. Pres të komunikojë me secilin qytetar dhe të ua prezantoj projektet e mia për qytetin, s’kisha dashtë të merrem më atë çështje”, u shpreh ai.
Garës për kryetar të Istogut, pritet t’i hyjë sërish Agron Avdijaj nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili po ashtu ishte kandidat në zgjedhjet e 2017-tës.
Por, ai theksoi se në garë janë edhe dy kandidatë të tjerë: Qerim Rexhaj dhe Korab Balaj.
Se cili nga të tre do të jetë kandidat, siç njoftoi Avdijaj, do të merret vendimi në mbledhjen e Këshillit të Qendrës, e cila pritet të mbahet në fund të këtij muaji.
“Së shpejti do të mbahet mbledhja e Këshillit të Qendrës. Mbi bazën e rezultatit të votimit të delegatëve në Istog, atëherë përcaktohet kandidati. Deri në fund të korrikut do të përcaktohet se kur mbahet kjo mbledhje, tha ai për Insajderi-n.
Avdijaj, i cili njëherësh është kryetar i Qendrës së VV-së në Istog, shtoi se nëse arrijnë bashkëpunim me Listën “Guxo” presin të dalin fitues në zgjedhjet e 17 tetorit pa shkuar fare në balotazh.
“Disponimi sipas përshtypjes tonë dhe indikacioneve të para, konsiderojmë që nëse arrijmë bashkëpunim me Listën ‘Guxo’, besoj që mund të dalim fitues në këto zgjedhje pa balotazh”.
E Partia Demokratike të Kosovës ende nuk ka zyrtarizuar kandidatin e saj për Istog.
Në vitin 2017, PDK në garë për kryetar kishte Beqir Sadikaj, i cili ishte radhitur në vendin e tretë sa i përket votave.
Burime të gazetës bëjnë të ditur se Sadikaj nuk do të garojë në këto zgjedhje. Sipas të njëjtave burime, emri i Lulzim Shoshit është përmendur si kandidat i mundshëm.
Megjithatë, në fillim të gushtit pritet të zyrtarizohen kandidaturat për komunat e mbetura. Zyrtarizimi i kandidaturave do të bëhet pas zgjedhjes së Kryesisë Qendrore të partisë, e cila siç ka premtuar kryetari Memli Krasniqi në ditën e zgjedhjes së tij në këtë pozitë, do të bëhet në fund të këtij muaji.
Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në vitin 2017, LDK ishte në balotazh me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kandidat i së cilës ishte Gani Dreshaj.
Në raundin e dytë të votimeve, Haki Rugova, kishte arritur të marrë 10 mijë e 33 vota apo në përqindje 50.03% të votave, kurse Gani Dreshaj kishte marrë 10 mijë e 19 vota, apo në përqindje 49,97%.
Megjithatë, Gani Dreshaj nuk do të jetë sërish kandidat i AAK-së. Kjo parti ka kohë që ka zyrtarizuar kandidaturën e Bekë Berishës, i cili aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës. Insajderi ka kontaktuar me Berishën, por i njëjti nuk ka pranuar të flasë./Insajderi.com