Gashi demanton Ahmetin – thotë se nuk i kanë kërkuar Thaçit dokumente për dialogun

Gashi demanton Ahmetin – thotë se nuk i kanë kërkuar Thaçit dokumente për dialogun

Anëtari i delegacionit shtetëror për dialog me Serbinë, Dardan Gashi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se delegacioni nuk i ka kërkuar dokumente për dialogun me Serbinë presidentit Hashim Thaçi, ndryshe sa kishte thënë njëri nga kryesuesit e delegacionit, Shpend Ahmeti para.

Gashi ka thënë se ka qenë Thaçi ai i cili ka propozuar t’ua ofrojë atyre dokumentacionin.

“Ne dokumentet realisht nuk i kemi kërkuar, ka qenë propozim i Thaçit”, tha ai, duke shtuar se presidenti nuk është në Kosovë e nuk e dinë kur do t’i marrin dokumentet prej tij.

Gashi tha se as ai e as Qeveria nuk e dinë se ku ndodhet presidenti momentalisht.

Ndërkaq, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, para dy ditësh kishte deklaruar se i kishin bërë një kërkesë Presidencës si delegacion për të marrë të gjithë materialin e nevojshëm për dialogun Kosovë-Serbi. Ai madje, për këtë dorëzimin e dokumentacionit kishte caktuar një afat kohor deri sot.

“E kemi dorëzuar edhe zyrtarisht kërkesën si delegacion shtetëror, tek Presidenca, që të na ofrojnë të gjithë materialin që ata e kanë në dispozicion deri të premten, që i bie 11 janar. Pra, ne kërkojmë që të na dorëzohet ky dokumentacion, që ka diçka që është diskutuar, ato çështje mund t’i flasim. Nuk ka kuptim që neve si delegacion shtetëror, të mos na vihet në dispozicion dhe nuk kam parë ndonjë rezistencë të madhe, tash mbetet ta shohim. Pra, edhe Thaçi duhet ta kuptojë që nuk është kjo garë me njëri tjetrin, është një bisedë, një dialogim goxha i vështirë dhe këtu mund të kemi ndoshta idetë e ndryshme, mospajtimet, por besoj që Kosova do të ishte shumë më e fuqishme po ta kishte një zë dhe këtu gjithmonë”, kishte thënë Ahmeti.