Gashi: Kemi dyshime se VV po e keqpërdorë Saranda Bogujevcin për viktimizim

Gashi: Kemi dyshime se VV po e keqpërdorë Saranda Bogujevcin për viktimizim

Arben Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mendon se “Vetëvendosje po e keqpërdorë Saranda Bogujevcin për poena politike”.

Kjo për shkak se nënkryetarja e Kuvendit ia ndali fjalën e deputetit Gashi, ky i fundit më pastaj gjatë një konference për media hodhi akuza për partinë në pushtet.

“Dyshimet shkojnë se kryesuesja e seancës po përdoret dhe keqpërdoret nga Vetëvendosje me qëllim të viktimizimit të saj për përfitim politik, e padinjitetshme për Vetëvendosjen. Sa herë që ulësja e kryetarit të Kuvendit përdoret në mënyrë të njëanshme po prodhohet tension”, tha ai.

Ai po ashtu theksoi se LDK nuk do të kthehet në sallën e Kuvendit pa u mbledhur kryesia për t’i sqaruar problemet.

Ndërsa, për tensionet në Kuvend, Gashi tha se nuk i përket LDK-së, pasi ishte konflikt mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pamë veprime të dhunshme në Kuvend dhe dhunë nga ulësja e kryetarit të Parlamentit. Kam pritur më shumë se një orë për të marrë fjalën dhe kur e mora ma ka ndërprerë kryesuesja e seancës në mënyrë të padrejtë, të njëanshme dhe tendencioze”. /Insajderi.com