Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, përmes dy letrave të nënshkruar sot me ane të së cilave iu është drejtuar kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ka kërkuar nga ai që të sigurohet dy lokacione, njëra për vendosjen e shtatores së Legjendës së Futbollit Kosovar “Fadil Vokrri” dhe tjetra për vendosjen e statujës për Kampionen me famë botërore Majlinda Kelmendi.
Me këtë rast, ministri Gashi tha se \”kam kërkuar nga kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti që të bëhet ndarja e një lokacioni të përshtatshëm afër Stadiumit “Fadil Vokrri”, për të vendosur shtatoren e legjendës së Futbollit Kosovarë Fadil Vokrri. Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë ndër vite në fushën e sportit Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur që të ndërtoj shtatoren për legjendën e futbollit Kosovar të ndjerin Fadil Vokrri.
Po ashtu, ministri Gashi kërkoi që të ndahet një lokacion i përshtatshëm për vendosjen e statujës së Majlinda Kelmendit. Dhe tha se “duke marr parasysh sukseset e xhudistës me famë botërore dhe fituese së Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike si dhe fituese së shumë kampionateve dhe garave ndërkombëtare, Federata Botërore e Xhudos ka vendosur për ta nderuar me ngritjen e një statuje ne Kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë”.