Gashi: Kurti po gënjen, Hoti e priti në zyrë për t’ia dorëzuar dosjen rreth dialogut

Gashi: Kurti po gënjen, Hoti e priti në zyrë për t’ia dorëzuar dosjen rreth dialogut

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha të premten se deklarata e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili gjatë vizitës dyditore në Bruksel, tha se më shumë ka kuptuar rreth procesit të dialogut me Serbinë gjatë vizitave atje, sesa nga raportet në Prishtinë, është e pavërtetë, njofton Insajderi.

Në një konferencë për medie, Gashi theksoi se ish-kryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, e ka pritur në zyrë pasuesin e tij, Kurtin, për t’ia dorëzuar detyrën e bashkë me të edhe dosjen lidhur me procesin e bisedimeve.

“Nuk është e vërtetë sepse ish-kryeministri Hoti ia ka dorëzuar dosjen e plotë dhe të detajuar lidhur me procesin e dialogut dhe kjo është arsyeja pse e ka pritur në zyrë kur ia ka dorëzuar detyrën”, tha ai, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Gashi tutje shtoi se “Kurti ka shkuar në Bruksel pa e njoftuar Kuvendin, por kur të kthehet duhet të raportojë në detaje për vizitat që ka zhvilluar dhe temat e diskutimi gjatë qëndrimit atje”. /Insajderi.com