Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës ka cilësuar Qeverinë Kurti 2 si “pa ide”.
Derisa kritikoi ekzekutivin, Gashi tha se Kosova është i vetmi vend që nuk ka siguruar vaksinën anti-COVID’19, gjë për të cilën duhet të angazhohet.
Ai tha se tash e tre muaj kjo Qeveri nuk ka një plan të mirëfilltë, njofton Insajderi.
“Po shohim paaftësi në procesin e vaksinimit të popullsisë. Ju keni përgjegjësi të plotë për shëndetin publik. Kosova sot është vendi i vetëm që nuk ka blerë asnjë vaksinë të vetme, por që varet nga mëshira e vendeve mike. Po dështoni në ruajtjen e shëndetit dhe jetës. Kosova të angazhohet dhe të sigurohen vaksinat”, tha deputeti Gashi.
Gashi, deklaroi se ky program dëshmon se “Albin Kurti nuk është i gatshëm për të qeverisur me vendin”.
“Programi e dëshmon se nuk ishit të gatshëm për qeverisje, po ashtu nuk jeni të gatshëm për qeverisje në mënyrën se si e keni ndërtuar këtë program. Me këtë fletushkë që e quani program, nuk po shohim asgjë që premtuat kur ishit në opozitë. Reforma në drejtësi mbetet parullë e pa përkthyer në program”, tha deputeti Gashi.